VMRO-DPMNE i ka reaguar nënkryetarit të BDI-së, Arbër Ademi, i cili në konferencë për shtyp para Stacionit të Policisë në Karposh, ku u mor në pyetje ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, tha se “prej në mëngjes ia hodhën fajin ministrit të BDI, pastaj kur u zbulua skadimi i licencës, shpikën licencën e falsifikuar”, duke aluduar se pushteti po përpiqet që t’ia lë fajin shqiptarëve për fatkeqësinë në Koçan.
Ata thonë se BDI “edhe këtë temë e ndajnë në të tanë dhe tuajt, maqedonas dhe shqiptarë.”

“Lufta kundër krimit nuk ka ngjyrë, racë, apo përkatësi. Edhe pse fatkeqësisht për LSD-në dhe BDI-në ka. Edhe këtë temë e ndajnë në të tanë dhe tuajt, maqedonas dhe shqiptarë. Ndryshe nga ata, kjo për ne, por edhe për të gjithë qytetarët është një luftë e popullit kundër të korruptuarve që kanë krijuar një përbindësh të një sistemi që vret për shkak të korrupsionit. Nuk ka asnjë dënim dhe distancim nga partia që është kthyer në djepin e krimit. Por kjo nuk do t’i shpëtojë ata nga përgjegjësia”, thonë nga VMRO-DPMNE.