Çifti kosovar ka mashtruar fqinjët e moshuar gjermanë për 120 mijë euro

Gjykata i dënoi ata për shfrytëzim të paturpshëm të marrëdhënieve me të moshuarit. Burri është dënuar me dy vjet burg dhe gruaja, me 21 muaj me kusht.

Çifti nga Lohmar-i, burrë e grua të moshuar, ishin të lumtur të ndihmonin fqinjët e tyre miqësorë, të cilët vazhdimisht u kërkonin para. Por një punonjës i vëmendshëm i bankës zbuloi se këtu kishte një plan të qëllimshëm mashtrimi. Tani, fqinjët ndodhen para gjyqit.

Një 36-vjeçar dhe gruaja e tij 25-vjeçare i kanë vjedhur të moshuarve rreth 120 mijë euro. Një punonjës i vëmendshëm i bankës zbuloi më në fund mashtrimin. Çifti tani duhej të përgjigjej për nëntë akuza të mashtrimit të përbashkët përpara një gjyqtari porotë në Gjykatën e Landit, në Siegburg.

Të dy kanë pranuar veprën, janë shprehur të penduar dhe i kanë kërkuar falje 86-vjeçarit dhe gruas së tij 82-vjeçare, me të cilën kishin mbajtur gjithmonë një marrëdhënie miqësore dhe thuajse “familjare”, siç shpjeguan të dyja palët. Ndaj, e moshuara në gjykatë ka theksuar se nuk është e interesuar për ndjekjen penale të të akuzuarve. “Më pëlqente ta bëja këtë sepse doja të ndihmoja dikë,” shpjegoi ajo.

Deri në fund ajo nuk kishte dashur të besonte në mashtrim, por pas pranimit nga ana e të pandehurit, ajo pranoi se ndoshta duhej të besonte. I pandehuri përmendi borxhet e larta për shkak të varësisë së tij nga lojërat e fatit si shkak të krimeve, shkruan gazeta General Anzeiger (ga.de). Ai dhe gruaja e tij kishin bërë një plan për krimet.

Nga maji i vitit 2023, ai komunikonte pothuajse çdo ditë me 82-vjeçaren dhe i kërkonte ndihmë financiare. Ai, ndër të tjera, deklaroi se i është dashur të udhëtojë në vendin e tij, në Kosovë për shkak të mosmarrëveshjeve për trashëgiminë në familjen e tij, se babai i tij ishte i sëmurë dhe po vdiste, se ai vetë ishte rrëmbyer në Kosovë dhe se babai i tij ishte kërkuar të paguante një shpërblim, se fëmija i tij ishte shumë i sëmurë, se…

Qytetarët e moshuar i besuan tregimet dhe paguan më shumë se 112,000 euro midis 22 majit 2023 dhe 15 shtatorit 2023 – pjesërisht me transferim në llogarinë e të pandehurve dhe pjesërisht në para të gatshme për të pandehurin.

Në fund ata falsifikuan një rrëmbim

Më 17 shtator 2023, 25-vjeçarja kontaktoi viktimën përmes WhatsApp dhe raportoi se bashkëshorti i saj ishte zhdukur dhe do të lirohej vetëm pasi të paguhej një shpërblim. Prandaj, ajo i ka kërkuar ndihmë financiare marrësit të mesazhit. Kur ajo njoftoi se nuk mund të mblidhte më shumë para, i pandehuri e kontaktoi atë më 21 shtator 2023, tha se ishte rrëmbyer dhe i kishte kërkuar sërish para.

Megjithatë, pagesa e radhës nuk u bë sepse një punonjës i bankës Kreissparkasse Lohmar kishte njoftuar policinë për shkak të mënyrës që binte në sy, të pagesës së çiftit të dëmtuar. Por edhe pas kësaj, zonja e moshuar ka transferuar 8 mijë euro të tjera në llogarinë e të pandehurit.

Tashmë 86-vjeçari, burri i saj, ka ndërmarrë një urdhër përmbarimi prej 120 mijë eurosh përmes avokatit të tij, por gjykata ka shprehur dyshime se të moshuarit do t’i shohin sërish paratë e tyre. Prokurori publik i akuzoi të pandehurit se kanë treguar “një nivel të lartë të energjisë kriminale”, ndërsa gjykata i akuzoi ata për shfrytëzim të paturpshëm të marrëdhënieve të mira dhe vënien nën presion të të moshuarve.

Burri është dënuar me dy vjet burg dhe gruaja, me 21 muaj me kusht./Albinfo