Ahmed Manasra, i arrestuar nga autoritetet izraelite për një sulm të ndodhur kur ishte vetëm 13 vjeç, është liruar nga burgu pas pothuajse dhjetë vjetësh.

Tani 23 vjeç, Manasra ishte kthyer në një simbol të valës së dhunës midis izraelitëve dhe palestinezëve që shpërtheu në vitin 2015, sipas raportimeve të BBC-së. Çështja e tij ka qenë vazhdimisht në vëmendjen e organizatave për të drejtat e njeriut, përfshirë Amnesty International, e cila denoncoi “keqtrajtime tronditëse” ndaj tij – përfshirë gati dy vjet në izolim të plotë – që sipas tyre çuan në zhvillimin e sëmundjeve të rënda mendore.

Avokati i tij, Khaled Zabarqa, konfirmoi për BBC-në se lirimi i Manasrës erdhi pas përfundimit të plotë të dënimit.

Ngjarja për të cilën u dënua ndodhi pasi Manasra, së bashku me kushëririn e tij, kreu një sulm me thikë. Ai u largua nga vendi i ngjarjes, por më pas u përplas nga një makinë. Një video tronditëse, e cila u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale, e tregonte atë të shtrirë në rrugë, duke gjakosur rëndë, ndërsa një kalimtar izraelit e tallte.

Këto pamje shkaktuan zemërim në shumë vende të botës arabe, ku u përhapën spekulime se djali kishte humbur jetën. Megjithatë, disa ditë më vonë, autoritetet izraelite publikuan një fotografi të Manasrës duke marrë trajtim në spital.

Ai u shpall fajtor për tentativë vrasjejeje dhe u dënua me nëntë vjet e gjysmë burgim.