Kardinali Giovanni Angelo Becciu, një nga figurat më të fuqishme në Vatikan nuk do të marrë pjesë në Konklavën ku do të zgjidhet drejtuesi i ri i Kishës Katolike
Ai tha se vendimin e ka marrë për të respektuar vullnetin e Papa Françeskut dhe për të ruajtur unitetin e Kishës.
“Kam vendosur t’i bindem, siç kam bërë gjithmonë, vullnetit të Papa Françeskut për të mos hyrë në Konklavë, teksa insistoj në pafajësinë time,” u shpreh ai.
Kardinali 76-vjeçar ndodhet në pritje të gjykimit të shkallës së dytë, u dënua me pesë vjet e gjashtë muaj burgim dhe ndalim të përhershëm nga postet publike për keqmenaxhim fondesh dhe mashtrim kundër Selisë së Shenjtë.
Ai ishte një nga protagonistët e çështjes së famshme të investimit në ndërtesën luksoze në Sloane Avenue të Londrës. Megjithatë në vazhdimësi ai ka ngulmuar për pafajësi në këtë çështje. Vatikani vendosi se konklava për zgjedhjen e kreut të ri të Kishës Katolike pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut do të nisë më 7 maj.
Procesi do të vazhdojë me dy votime në mëngjes dhe dy në pasdite, derisa të zgjidhet Papa i ri me një shumicë të kualifikuar prej dy të tretash.
Zhvillimet në Konklavë do të drejtohen nga Kardinali Pietro Parolin, ndërsa “bisedat vëllazërore” ndërmjet kardinalëve tashmë kanë nisur, në përpjekje për të ndërtuar konsensusin për udhëheqësin e ardhshëm të Kishës Katolike.
Me vendimin e Becciu-t, një nga figurat më të përfolura të Vatikanit, procesi hyn në një fazë edhe më të ndjeshme. Në pritje të 7 majit, sytë e botës mbeten të drejtuar nga Vatikani.