Këtë e publikoi agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut, KCNA, duke iu referuar udhëheqësit të shtetit Kim Jong Un. Sipas publikimit, Kim ka vendosur të dërgojë ushtarë në Rusi si pjesë e marrëveshjes për mbrojtje të ndërsjellë. Ushtarët e Koresë së Veriut pritet të mbështesin Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës, thuhet në informacionin e KCNA.

Thuhet se ushtarët ndihmuan Rusinë të rimarrë territore të kontrolluara nga Ukraina. Njësi të forcave të armatosura të Koresë së Veriut morën pjesë në “operacionet çliruese” në territoret e Kurskut, raporton KCNA. Misionet janë “përfunduar me sukses”.

Shkelje e së drejtës ndërkombëtare
Komanda ushtarake ruse gjithashtu konfirmoi të shtunën (26.04) dislokimin e ushtarëve të Koresë së Veriut. Ata dhanë një kontribut të rëndësishëm në “çlirimin” e rajonit të Kurskut nga ushtarët ukrainas, deklaroi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë, Valery Gerasimov, gjatë një video-bisedimi me presidentin Vladimir Putin.

Pjesëmarrja e ushtarëve të Koresë së Veriut në luftën ruse kundër Ukrainës konsiderohet si shkelje e së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, Gerasimov theksoi se misioni luftarak është në përputhje me marrëveshjen e partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Marrëveshja përfshin gjithashtu një klauzolë për ndihmë të ndërsjellë ushtarake nëse njëra nga të dyja shtetet sulmohet. Megjithatë, nuk ka ndonjë kërkesë publike për ndihmë nga Rusia drejtuar Koresë së Veriut. Përveç kësaj, është Rusia ajo që e ka sulmuar Ukrainën.

Janë dërguar mijëra ushtarë?
Sipas shërbimeve të inteligjencës së SHBA-së, Koresë së Jugut dhe Ukrainës, Koreja e Veriut gjatë vjeshtës së kaluar ka dërguar rreth 10.000 deri në 12.000 ushtarë në Rusi. Sipas informatave nga Koreja e Jugut, ushtria e Koresë së Veriut ka pësuar rreth 4.000 viktima, duke përfshirë të plagosur dhe të vrarë.

Përveç dërgimit të ushtarëve, Koreja e Veriut, sipas Shtabit të Përgjithshëm të Koresë së Jugut, vazhdon t’i furnizojë Rusisë me sasi të mëdha municionesh dhe armësh, duke përfshirë raketa me rreze të shkurtër veprimi, haubica vetëlëvizëse dhe hedhës raketash.

Shqetësim në Uashington
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në disa raste e ka akuzuar Korenë e Veriut se po ndihmon Rusinë jo vetëm me armë, por edhe me personel.

SHBA-të tani po reagojnë me shqetësim ndaj përfshirjes së drejtpërdrejtë të Koresë së Veriut në luftë.
“Vazhdojmë të jemi të shqetësuar për përfshirjen e drejtpërdrejtë (të Koresë së Veriut) në luftë. Përfshirja ushtarake e Koresë së Veriut në Rusi dhe çdo mbështetje reciproke nga Federata Ruse për Korenë e Veriut duhet të ndalojë”, shkroi një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit në një email, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.