Kremlini ka thënë të martën se Ukraina nuk i është përgjigjur shumë ofertave të bëra nga presidenti, Vladimir Putin, për të nisur bisedimet e drejtëpërdrejta të paqes.

Kremlini po ashtu ka thënë se është ende e paqartë nëse Ukraina pajtohet për armëpushim treditor të shpallur të hënën nga Putini, për muajin e ardhshëm.

“Është presidenti Putin ai i cili në mënyrë të përsëritur ka thënë se Rusia është gati, pa asnjë parakusht, për të nisur procesin e negociatave”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov për gazetarët, raporton Reuters.

“Nuk kemi marrë ende përgjigje nga regjimi i Kievit deri më tani”, ka shtuar ai.

Putini të hënën ka shpallur armëpushim treditor në luftën në Ukrainë, duke nisur nga 8-10 maj, pasi Rusia planifikon të festojë 80-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Duke u përgjigjur ndaj vendimit të njëanshëm të Moskës, Kievi ka kërkuar të dijë se përse ajo nuk pajtohet me thirrjet për armëpushim që zgjat të paktën 30 ditë.

“Ne vlerësojmë jetët e njerëzve dhe jo paradat”, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.