Parashikimi për rezultatin tejet sekret të garës papale është pothuajse i pamundur pasi qëndrimet e kardinalëve ndryshojnë pas çdo vote dhe disa përpiqen të luajnë me sistemin për të ndikuar në shanset e kandidatëve të tyre të preferuar – ose edhe më pak të preferuar. Në konklavën e vitit 2013, disa kishin parashikuar se Jorge Mario Bergoglio mund të zgjidhej si papë.

Pas vdekjes së Papa Françeskut, spekulimet janë fokusuar te këta emra, sipas “The Guardian”:

Pietro Parolin, 70-vjeçar nga Italia:

Parolini ishte i afërt me Françeskun. Ka qenë sekretar shteti i Vatikanit që nga viti 2013, dhe ka luajtur rol kyç në çështjet diplomatike. Edhe në diplomaci shihet si person i qëndrueshëm.

Luis Antonio Tagle, 67-vjeçar nga Filipinet

Tagle do të mund të bëhej papa i parë aziatik. Ai ka qenë person i zëshëm në qëndrimet e kishës katolike, ndaj homoseksualëve dhe çifteve të shkurorëzuara është i ashpër, por ka kundërshtuar të drejtat e abortit në Filipine.

Peter Turkson, 76-vjeçar nga Gana

Turkson do të mund të bëhej papa i parë me ngjyrë në shekuj. Ai ka qenë i zëshëm në luftën ndaj krizës klimatike dhe pabarazisë ekonomike.

Peter Erdo, 72-vjeçar nga Hungaria

Erdo ka qenë avokues i fuqishëm i ligjërimeve katolike dhe doktrinës dhe do të konsiderohej ndryshim i madh i qasjes që ka pasur deri tash Françesku.

Matteo Zuppi, 69-vjeçar nga Italia

I caktuar si kardinal nga Françesku më 2019, Zuppi konsiderohet se mund të jetë vazhdimësi e politikave të papës që vdiq. Ishte edhe emisar i papës për Ukrainën.

Jose Tolentino Calaça de Mendonça, 59-vjeçar nga Portugalia

Ky është një prej kandidatëve potencialë më të rinj. Pikërisht mosha mund të jetë pengësë për të marrë detyrën. Ai ka marrë mbështetje për shkak të qasjes më toleruese ndaj raporteve të gjinisë së njëjtë.

Mario Grech, 68-vjeçar nga Malta

Grech konsiderohet më tradicional, por nisi të mbështeste pikëpamjet më progresive kur Françesku u zgjodh më 2013.

Pierbattista Pizzaballa, 60-vjeçar nga Italia

Që nga viti 2020, Pizzaballa ka qenë patriarku latin për Jerusalemin. Pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 ndaj Izraelit, ai u vetë-ofrua si peng që të liroheshin fëmijët që po mbaheshin nga Hamasi.

Robert Sarah, 79-vjeçar nga Guinea

Sarah është kardinal tradicional që konsiderohej si sfidues i pushtetit të Françeskut. Ai e ka cilësuar “ideologjinë gjinore” si kërcënim për shoqërinë.