Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të ndajë 344 milionë denarë për universitetet dhe
fakultetet shtetërore, institucionet shkencore publike dhe ASHAM-it për të avancuar
infrastrukturën kërkimore – shkencore, por edhe për të realizuar projekte kërkimore –
shkencore inovative. Për këtë qëllim, janë shpallur dy konkurse publike, në të cilat mund të
aplikohet në mënyrë elektronike përmes portalit e-uslugi.mon.gov.mk, në afat prej 45 ditëve.
Në konferencë për shtyp sot, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska,
ndau më shumë informata rreth kushteve për aplikim dhe kriteret për pranimin e aplikimeve
të parashtruara. Siç tha ministrja, pjesa më e madhe e mjeteve janë siguruar në kuadër të
buxhetit vjetor për shkencën, i cili është dyfish më i lartë se buxheti i vitit të kaluar dhe arrin
në 680 milionë denarë, ndërsa një pjesë e parave për projektet do të paguhet edhe gjatë vitit të
ardhshëm kalendarik, kur edhe duhet që projektet të përfundojnë plotësisht, projektet të cilat
pranohen.
"Njëri konkurs është i dedikuar të financojë 40 projekte kërkimore – shkencore në universitete
shtetërore, fakultete, institute shkencore dhe ASHAM-in. Prej tyre, 15 do të jenë në fushën e
shkencave matematiko – natyrore, inxhinierisë dhe teknologjisë, shkencave të mjekësisë dhe
shëndetësisë, shkencave të bujqësisë dhe veterinarisë. Më tej, 15 projekte në fushën e
shkencave shoqërore dhe humanitare dhe 10 projekte në fushat e Strategjisë së Specializimit
Intelegjent në drejtim të tranzicionit dixhital dhe të gjelbër, gjegjësisht bujqësisë dhe ushqimit
intelegjent me vlerë të shtuar më të lartë, teknologjive të informacionit dhe komunikimit,
industrisë elektromakinerike dhe materialeve të qëndrueshme dhe ndërtesave intelegjente",
informoi Janevska.

Ministrja theksoi se çdo projekt i pranuar do të marrë buxhet më së shumti deri në 8 milionë
denarë, përmes pagesës me dinamik të paracaktuar paraprakisht e cila do të rrumbullaksohet
më së voni deri më 31 tetor 2026, deri atëher kur duhet të përfundojë implementimi i
projektit. Një aplikant mund të aplikojë me më shumë projekte, por mund t'i pranohen më së
shumti katër. Përveç asaj, secili projekt nuk duhet të jetë identik me ndonjë projekt tjetër i cili
është realizuar tashmë ose realizohet aktualisht.

"Konkursi i dytë është i dedikuar për shpërndarjen e mjeteve për tetë institucionet shkencore
publike të pavarura, të cilat kryejnë veprimtari me interes të lartë strategjik dhe kombëtar për
vendin. Këtu do të financohen projekte kërkimore – shkencore me kohëzgjatje më së shumti
deri në dy vjet, për të cilat do të ndahet buxhet individual deri në 3 milionë denarë,
gjegjësisht nga 1.5 milionë denarë në vitin 2025 dhe 2026", tha Janevska.
Rezultatet e të dy konkurseve do të publikohen në ueb-faqen e MASH-it, pasi paraprakisht në
bazë të kritereve të përcaktuara qartë, do të bëhet rangim i propozim-projekteve të
parashtruara, nga komisionet e posaçme të formuara për zbatimin e konkurseve.
"Dua të theksoj se përparësi kanë projektet në të cilat hulumtuesi kryesor ka publikuar të
paktën 2 punime në revista me faktorë ndikimi në tre vitet e fundit, si dhe hulumtues kryesor i
cili ka botuar të paktën 2 punime në revista të regjistruara në baza të dhënash ndërkombëtare
ose revista me bord redaktues ndërkombëtar", theksoi ministrja.
Ajo u bëri thirrje shkencëtarëve dhe punonjësve kërkimor – shkencor të punësuar në
institucionet publike të arsimit të lartë dhe institucioneve shkencore dhe në ASHAM, që të
angazhohen për përgatitjen e projekteve inovative dhe të shfrytëzojnë mundësinë për
financimin e aktiviteteve të tyre shtesë në fushën shkencore në të cilën punojnë.
"Shkenca merr mbështetje më të madhe nga Qeveria. Po financojmë për të mbështetur
shkencëtarët në zhvillimin e tyre personal, por edhe së bashku të kontribuojmë në zhvillimin
e vendit, ku arsimi dhe shkenca duhet të jenë shtytësit kryesorë", tha ministrja, duke shtuar se
së shpejti do të shpallet edhe thirrja e tretë, gjithashtu për projekte që kanë të bëjnë me
implementimin e Strategjisë së Specializimit Intelegjent të vendit.