Friedrich Merz, kancelari i ardhshëm gjerman dhe lider i Unionit Kristian Demokrat (CDU), paralajmëroi se politika tregtare e presidentit amerikan Donald Trump rrit rrezikun e një krize të re financiare.

“Kriza tjetër financiare do të vijë patjetër. Ne thjesht nuk e dimë kur dhe pse”, tha Merz në një intervistë me Handelsblatt të Gjermanisë.

“Politikat e Trumpit rrisin gjasat që kjo krizë të vijë më shpejt nga sa presim.”

Bëhet e ditur se Merz iu referua veçanërisht regjimit tarifor të Trumpit, i cili ka tronditur tregjet globale gjatë dhjetë ditëve të fundit mes frikës së një recesioni.

Trump më pas lehtësoi disa nga masat e shpallura dhe të premten përjashtoi telefonat, kompjuterët dhe pajisjet e tjera elektronike nga tarifat hakmarrëse, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Merz, i cili arriti një marrëveshje koalicioni me Partinë Social Demokrate (SPD) javën e kaluar, planifikon të marrë detyrën më 6 maj.

Në një intervistë, ai njoftoi se qëllimi i tij është një marrëveshje e re tregtare transatlantike pa tarifa, si dhe marrëveshje dypalëshe me vende si Kanadaja, Koreja e Jugut dhe India.

Ai e quajti ngecjen e negociatave mbi TTIP (Partneriteti Transatlantik i Tregtisë dhe Investimeve) në vitet 2010 një mundësi të humbur.

Merz tha gjithashtu se Gjermania ishte e hapur për importimin e gazit natyror të lëngshëm nga SHBA, i cili mund të ketë ndikim në bashkëpunimin energjetik BE-SHBA.

Ndër tjera, ai theksoi se Evropa duhet t’i përgjigjet së bashku presionit nga Uashingtoni dhe të shfrytëzojë mundësinë për të zbatuar reformat kryesore të brendshme.

“Gjëja më e rëndësishme është unifikimi i tregjeve evropiane të kapitalit. Dinamika e re do të zhvillohet atje në muajt e ardhshëm”, tha Merz, duke iu referuar bisedimeve me Emmanuel Macron, Donald Tusk dhe Keir Starmer.