Me agimin e ditës së re dritat u ndezën. Pas shumë orëve në kaos është rikthyer normaliteti në Spanjë dhe Portugali, por që pikëpyetjet mbeten të shumta për defektin që çoi në dështimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike.
“Lidhur me shkaqet, po dëgjojmë nga teknikët e Red Electrica se linja u shkëput në vetëm 5 sekonda. Specialistët ende nuk e kanë zbuluar se çfarë e shkaktoi këtë defekt, por do ta përcaktojnë atë. Të gjitha institucionet, publike dhe private, po punojnë bashkë për të kuptuar se çfarë ndodhi. Të gjitha shkaqet e mundshme po analizohen. Nuk po përjashtojmë asnjë hipotezë”, tha Pedro Sanchez, kryeministër i Spanjës.
Shkaku i ndërprerjeve të energjisë elektrike është ende i panjohur, theksoi kryeministri i Portugalisë, Luís Montenegro, duke shtuar se nuk ka “asnjë tregues” të një sulmi kibernetik. Gjendja e emergjencës mbetet në fuqi në Spanjë. Shërbimi i transportit publik me autobusë, metro dhe tramvaj është rikthyer në normalitet. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë me fluturimet dhe operimin normal të aeroporteve.
Autoritetet paralajmërojnë pasagjerët për shtyrje apo anulime të fluturimeve për shkak të kaosit të krijuar me mungesën e energjisë elektrike. Sipas operatorëve të rrjetit elektrik të Spanjës dhe Portugalisë, ndërprerja filloi rreth orës 11:33 të së hënës dhe u shkaktua nga një fenomen i rrallë atmosferik.
Siç kujton gazeta britanike The Guardian, operatorët shpjeguan se ndryshimet e forta të temperaturës në brendësi të Spanjës shkaktuan “dridhje atmosferike të induktuara” në linjat e tensionit shumë të lartë (400 kV), duke gjeneruar lëkundje serioze dhe dështime sinkronizimi midis sistemeve elektrike. Kjo ka shkaktuar shkëputje rradhazi të termocentraleve, përfshirë një në Francë, duke destabilizuar të gjithë rrjetin iberik. Ndërprerja e energjisë elektrike, e përshkruar si më serioze e regjistruar ndonjëherë në Europë, bllokoi fluturimet, trenat, rrjetet celulare dhe shërbimet thelbësore në disa qytete.