Presidenti rus Vladimir Putin falënderoi trupat e Koresë së Veriut për luftimin e forcave ukrainase në rajonin Kursk të Rusisë
Në një deklaratë nga Kremlini, Putin përshëndeti heroizmin dhe përkushtimin e luftëtarëve të Koresë së Veriut, të cilët tha se “sup më krah me luftëtarët rusë, mbrojtën Atdheun tonë si të tyren”
Rusia të shtunën tha se trupat e saj kanë rimarrë plotësisht rajonin e Kurskut që forcat ukrainase pushtuan në një inkursion të papritur vitin e kaluar. Zyrtarët ukrainas e mohuan pretendimin.
Zyrtarët e inteligjencës së SHBA-së, Koresë së Jugut dhe Ukrainës kanë thënë se Koreja e Veriut dërgoi 10,000-12,000 trupa në Rusi vjeshtën e kaluar në pjesëmarrjen e saj të parë në një konflikt të madh të armatosur që nga fundi i Luftës Koreane 1950-1953. Por Koreja e Veriut nuk kishte konfirmuar apo mohuar dislokimet e raportuara të trupave në Rusi deri të hënën.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, vendosi të dërgojë trupat luftarake në Rusi sipas një traktati të ndërsjellë të mbrojtjes që ai dhe Putin nënshkruan në qershor 2024, tha Komisioni Qendror Ushtarak i Veriut në një deklaratë të transmetuar nga media shtetërore. Traktati i konsideruar si marrëveshja më e madhe e mbrojtjes e të dy vendeve që nga fundi i Luftës së Ftohtë, kërkon që të dy vendet të përdorin të gjitha mjetet e disponueshme për të ofruar ndihmë të menjëhershme ushtarake nëse ndonjëra sulmohet.