Qeveria palestineze në Gaza njoftoi se mbi 65 mijë fëmijë janë shtruar në spitale për shkak të kequshqyerjes akute, transmeton Anadolu.

Zyra për media e qeverisë në Gaza njoftoi se sulmet e vazhdueshme të Izraelit dhe bllokada e rreptë që ka vendosur në Gaza e kanë rritur tragjedinë që fëmijët palestinezë e përjetojnë.

Deklarata thekson se Izraeli përdor urinë dhe etjen si armë sistematike luftarake kundër civilëve dhe se kjo është një shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Bllokada e rreptë dhe mbyllja e pikave të kalimit kanë përkeqësuar në mënyrë katastrofike kushtet shëndetësore thekson deklarata duke nënvizuar se rastet e kequshqyerjes akute, veçanërisht tek fëmijët dhe foshnjat, ishin në rritje.

Më tej thuhet se në Gaza, ku 1.1 milion fëmijë luftojnë me urinë çdo ditë, më shumë se 65 mijë fëmijë kanë kërkuar ndihmë në spitale për shkak të kequshqyerjes akute.

“Izraeli është përgjegjës për këtë katastrofë humanitare, e cila kërcënon jetën e qindra mijëra fëmijëve, grave dhe të moshuarve për shkak të mungesës së ushqimit, ilaçeve dhe ujit, ndërsa bashkësia dhe institucionet ndërkombëtare akuzohet për heshtje përballë këtyre krimeve dhe për pengimin e udhëheqësve izraelitë që të mbahen përgjegjës”, thuhet në deklaratë.

Qeveria palestineze në Gaza bën thirrje për gjykimin dhe ndëshkimin e kriminelëve të luftës izraelite në gjykatat ndërkombëtare dhe përshëndeti vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që konfirmoi se Izraeli shkeli të drejtën ndërkombëtare duke pushtuar territoret palestineze.

Ajo bën thirrje për hapjen e menjëhershme dhe pa kushte të të gjitha pikave kufitare dhe hyrjen e ndihmës humanitare, furnizimeve mjekësore dhe shtesave ushqimore, veçanërisht për fëmijët dhe pacientët.