Arabia Saudite planifikon që t’i paguajë borxhet që Siria ia ka Bankës Botërore, i kanë thënë agjencisë së lajmeve “Reuters” tre persona të afërt me çështjen, duke e hapur rrugën për miratimin e miliona dollarëve grante për rindërtim dhe për mbështetjen e sektorit publik të paralizuar të vendit.

Këto plane, për të cilat nuk është raportuar më parë, do të ishin rasti i parë i njohur kur Arabia Saudite i ofron mbështetje financiare Sirisë që nga rrëzimi i ish-presidentit Bashar al-Assad vitin e kaluar nga rebelët, raporton agjencia “Reuters”.

Kjo gjithashtu mund të jetë shenjë që përkrahja jetike e vendeve arabe të Gjirit Persik po fillon të konkretizohet, pasi planet e mëparshme, përfshirë një nismë nga Katari për financimin e pagave, u pezullua nga paqartësia rreth sanksioneve nga ShBA-ja.

Muajin e kaluar, Katari njoftoi një plan për ta furnizuar Sirinë me gaz përmes Jordanisë në mënyrë që të përmirësohej furnizimi i dobët i vendit me energji elektrike, veprim për të cilin burimet i thanë agjencisë “Reuters” se e kishte miratimin nga Uashingtoni.

Një zëdhënës i Ministrisë së Financave të Arabisë Saudite agjencisë “Reuters” i tha: “Ne nuk i komentojmë spekulimet, por bëjmë njoftime, nëse dhe kur ato të bëhen zyrtare.”

Zyra mediale e qeverisë saudite, një zëdhënës i Bankës Botërore dhe një zyrtar qeveritar sirian nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.