Furnizimi me energji elektrike është rikthyer që nga mëngjesi në disa rajone të Spanjës dhe Portugalisë, pas ndërprerjes së madhe që ndodhi një ditë më parë. Operatori spanjoll i energjisë “Red Eléctrica” njoftoi se afro 99% e kapacitetit tashmë është rikuperuar.

Sipas të dhënave, rreth 6.2 milionë familje në Portugali nga gjithsej 6.5 milionë janë rikthyer në rrjetin elektrik, ndërsa energjia është stabilizuar edhe në qytetet kryesore si Madridi dhe Lisbona.

Kryeministri portugez, Luis Montenegro, deklaroi se burimi i ndërprerjes “ka të ngjarë të jetë në Spanjë”, ndërsa homologu i tij spanjoll, Pedro Sánchez, kërkoi të mos përhapen spekulime dhe theksoi se po analizohen të gjitha shkaqet e mundshme.

Sipas Sánchez, ndërprerja ndodhi në orën 12:33, kur për pesë sekonda, u zhdukën 15 gigavat energji – ose 60% e kapacitetit në përdorim. Ai tha se diçka e tillë nuk kishte ndodhur më parë dhe asnjë mundësi nuk përjashtohet, përfshirë sulmet kibernetike, edhe pse autoritetet portugeze deri tani nuk kanë gjetur prova për një të tillë.

Në përgjigje të krizës, u shpall gjendje e jashtëzakonshme në Spanjë dhe u angazhuan 30 mijë policë për ruajtjen e rendit publik në të dyja vendet. Ndërprerja e energjisë ka shkaktuar probleme serioze, përfshirë pezullimin e transportit hekurudhor e në metro, rënien e rrjeteve telefonike, fikjen e semaforëve dhe jashtë funksionit e ATM-ve për rreth 50 milionë banorë të Gadishullit Iberik.

Aeroportet funksionuan me gjeneratorë rezervë, dhe disa fluturime u vonuan. Një mbledhje e Këshillit të Sigurisë Kombëtare është paralajmëruar në Spanjë për të shqyrtuar situatën.