Për tragjedinë e Koçanit deri më tani dyshohen 68 persona fizikë dhe tre persona juridikë, ndërsa hetimet janë në vazhdim, tha sot ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski në seancën për pyetje deputetësh. Sipas tij, policia nuk vepron në mënyrë selektive, por ekskluzivisht në bashkëpunim dhe me urdhër të prokurorit publik, raporton SHENJA.

“Nuk ka rëndësi burrë apo grua, person nga Shkupi apo Koçani, apo ndonjë përkatësi politike. Është bërë ekskluzivisht nga aspekti i ndriçimit të tragjedisë që fajtorët të përgjigjen sipas ligjit. Po të kishte pasur një reagim si ky në të kaluarën, të kishte qasje serioze për kryerjen e hetimeve, kapacitetet e shtetit do të kishin qenë të ndryshme nga ato që janë tani.

Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Rexhep Ismail, Toshkovski tha se MPB ka ngritur katër kallëzime penale kundër të gjithë personave dhe se është vepruar si kurrë më parë.

“Dallimi është i madh si është trajtuar ky rast dhe si është trajtuar në tragjeditë e tjera në të cilat kanë humbur jetën 75 persona. Dallimin e bëjnë edhe qytetarët. Deri më tani nuk është bërë asnjë kallëzim nga MPB për tri raste tragjike dhe nuk ka pasur asnjë të dyshuar. Tashmë MPB ka ngritur katër kallëzime penale kundër të gjithë personave për të cilët në bashkëpunim me prokurorin publik janë identifikuar si të lidhur me ngjarjen dhe ekzistojnë baza dyshimi. Për herë të parë janë marrë masat për të siguruar praninë e një ministri, tre kryetar komunash dhe disa ministrave të ekonomisë”, tha ministri i MPB-së.

Ai bëri të ditur se të martën publiku do të shohë se çfarë duhet bërë për të pasur, siç tha, një shtet normal.

Deputeti Ismail tha se nuk është i kënaqur me përgjigjen dhe vlerësoi se Toshkovski duhet të japë dorëheqje.