Tre persona u vranë nga një sulm i armatosur në qytetin suedez të Uppsalas të martën. Lajmin e ka konfirmuar policia lokale, duke shtuar se tashmë kanë filluar hetimet për këto të shtëna.
Policia është në kërkim të një personi të dyshuar si autor i vrasjeve, raportoi agjencia e lajmeve TT.
Më herët, policia suedeze kishte deklaruar se kishte marrë telefonata nga qytetarë që kishin dëgjuar të shtëna armësh në qendër të qytetit, dhe thanë se shërbimet e emergjencës ishin nisur menjëherë drejt vendngjarjes.
“Tre persona janë konfirmuar të vdekur pas të shtënave… Policia po e heton ngjarjen si vrasje”, thanë hetuesit në një deklaratë.
Dëshmitarë thanë për transmetuesin suedez SVT se kishin dëgjuar pesë të shtëna dhe kishin parë njerëz në zonë që po vraponin për të gjetur strehë.
Dhjetë persona u vranë në shkurt në qytetin suedez të Orebros në masakrën më të rëndë të regjistruar ndonjëherë në vend, në të cilën një 35-vjeçar i papunë hapi zjarr ndaj studentëve dhe mësuesve në një qendër arsimore për të rritur.
Suedia ka vuajtur që më shumë se një dekadë nga një valë dhune e lidhur me banda, që ka përfshirë edhe një epidemi të përdorimit të armëve të zjarrit.
Qeveria e djathtë minoritare e vendit nordik erdhi në pushtet në vitin 2022 me premtimin për të luftuar dhunën e lidhur me bandat.
Ajo ka ashpërsuar ligjet dhe i ka dhënë më shumë kompetenca policisë, dhe pas masakrës në Orebro deklaroi se do të synojë të forcojë edhe më tej ligjet për armët./REL