Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kritikuar ashpër presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, për qëndrimin e tij ndaj Krimesë, duke e cilësuar deklaratën e tij si të dëmshme për përpjekjet për paqe me Rusinë.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump shkroi se refuzimi i Zelenskyyt për të njohur okupimin rus të Krimesë është një deklaratë nxitëse që, sipas tij, vështirëson arritjen e një marrëveshjeje paqeje.

“Kjo deklaratë është shumë e dëmshme për Negociatat e Paqes me Rusinë”, tha Trump.

Ai shtoi se “Krimea është humbur vite më parë dhe nuk është më as temë diskutimi.”

Trump gjithashtu e përshkroi Zelenskyyn si një udhëheqës që “nuk ka letra për të luajtur” dhe e ftoi atë të përfundojë procesin.

“Jemi shumë afër një marrëveshjeje, por njeriu që ‘nuk ka letra për të luajtur’ duhet tani, më në fund, TA PËRFUNDOJË!”, shkroi Trump, duke shtuar: “Pres me padurim të ndihmoj Ukrainën dhe Rusinë të dalin nga ky KAOS i plotë dhe toal – një situatë që kurrë nuk do të kishte ndodhur po të isha unë President!”