Përpara se Rusia të niste sulmet e saj brenda natës, Donald Trump kishte sugjeruar se një marrëveshje paqeje në Ukrainë ishte “shumë afër”.
JD Vance kishte paraqitur më herët vizionin e SHBA-së për një marrëveshje, duke thënë se ajo do të ngrinte linjat e frontit “afër vendit ku janë sot”, duke shtuar se Ukraina dhe Rusia do të duhet të “heqin dorë nga një pjesë e territorit që zotërojnë aktualisht”.
Marrëveshja është planifikuar gjithashtu të përfshijë njohjen e SHBA-së të kontrollit të Rusisë mbi Krimenë, rajoni ukrainas i aneksuar ilegalisht nga Moska në 2014.
Kjo pikë duket të jetë një pikë pengese për Volodymyr Zelensky, i cili ka thënë vazhdimisht se Ukraina nuk do të pranojë të heqë dorë nga Krimea si pjesë e negociatave të paqes.
Kjo acaroi Trumpin, i cili sugjeroi në Zyrën Ovale mbrëmë se e kishte më të lehtë të merrej me Rusinë sesa Zelebskyn.
“Unë mendoj se Rusia është gati. Dhe unë mendoj se ne kemi një marrëveshje me Rusinë. Duhet të arrijmë një marrëveshje me Zelensky”, u tha Trump gazetarëve.
“Mendova se mund të ishte më e lehtë të merresha me Zelenskyn. Deri më tani, ka qenë më e vështirë. Por, mendoj se kemi një marrëveshje me të dyja”, shtoi presidenti amerikan.
Në një postim të mëparshëm në Truth Social dje, Trump tha se qëndrimi i Zelensky mbi Krimenë “nuk do të bëjë gjë tjetër veçse të zgjasë “fushën e vrasjes” dhe askush nuk e dëshiron këtë”.