Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i është kundërpërgjigjur Universitetit të Harvardit, duke e quajtur një “kërcënim” për demokracinë, transmeton Anadolu.

“Harvardi është një institucion antisemit, i majtës ekstreme, siç janë shumë të tjerë, me studentë që pranohen nga e gjithë bota që duan të copëtojnë vendin tonë. Ai vend është një rrëmujë liberale, duke lejuar një grup të caktuar të çmendurish të hyjnë dhe të dalin nga klasa dhe të vjellin zemërim dhe urrejtje të rreme. Kjo është vërtet e tmerrshme”, shkroi Trump në platformën Truth Social.

Komentet e tij erdhën pasi të hënën Universiteti Harvard paditi administratën e presidentit Trump për shkak se qeveria federale anuloi më shumë se 2 miliardë dollarë fonde për universitetin elitar.

Dje, presidenti i Universitetit të Harvardit, Alan Garber, tha se universiteti “nuk do të bëjë kompromis” për të drejtat e saj me administratën e Trumpit.

“Tani, që kur filluan paraqitjet tona, ata sillen sikur të gjithë janë ‘byrek amerikan’. Harvardi është një kërcënim për demokracinë, me një avokat i cili më përfaqëson mua, që për këtë arsye duhet të detyrohet të japë dorëheqjen, menjëherë ose të pushohet nga puna. Gjithsesi, ai nuk është aq i mirë dhe shpresoj që kompania ime shumë e madhe dhe e bukur, që tani drejtohet nga bijtë e mi, të çlirohet prej tij sa më parë”, shkroi Trump.

Më herët këtë javë, Shtëpia e Bardhë tha se administrata e Trumpit do t’i përgjigjet në gjykatë padisë së Universitetit të Harvardit për ngrirjen e financimit.

Universiteti i Harvardit është universiteti i parë i madh që sfidon hapur direktivat e administratës, të cilat zyrtarët e Trumpit thanë se janë për të luftuar antisemitizmin pas protestave të kampusit në lidhje me luftën brutale të Izraelit në Rripin e Gazës.

Administrata amerikane gjithashtu po vë në shënjestër programet e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes (DEI), të cilat i quajti “diskriminim i paligjshëm dhe imoral”.

Duke mbrojtur ngrirjen e financimit për Universitetin e Harvardit, administrata e Trumpit tha se universitetet duhet të mbështesin ligjet e të drejtave civile dhe të ndalojnë ngacmimin e studentëve hebrenj, pavarësisht se nuk dha shembuj për këtë.