Sot, në ambientet e Ministrisë së energjetikës, minierave dhe burimeve minerale, u nënshkrua
zyrtarisht marrëveshja për ndërtimin e pjesës maqedonase të interkonektorit të gazsjellësit
Maqedoni e Veriut-Greqi, një projekt me rëndësi strategjike për të ardhmen energjetike të
vendit dhe rajonit.
Në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit morën pjesë përfaqësues të partnerit strategjik nga pala
greke – DESFA, si dhe përfaqësues të financuesve kryesorë ndërkombëtarë të projektit –
Banka evropiane për rindërtim dhe zhvillim (BERZH) dhe Banka evropiane e investimeve
(BEI). Ngjarja u mbështet më tej nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e
Veriut, Stopanska banka shkup, si dhe Anëtarët e bordit drejtues të NOMAGAS SHA Shkup,
duke konfirmuar edhe një herë rëndësinë dhe mbështetjen e gjerë që gëzon ky projekt nga
partnerët vendas dhe ndërkombëtarë.
Interkonektori, 68 kilometra i gjatë në territorin e Maqedonisë së Veriut, do të mundësojë
transportin e gazit natyror dhe hidrogjenit, duke kontribuar në sigurinë energjetike,
reduktimin e ndotjes dhe përshpejtimin e tranzicionit në burimet e gjelbra të energjisë.
Ministrja e energjetikës, minierave dhe burimeve inerale, Sanja Bozhinovska, në fjalimin e
saj, theksoi:
"Me nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e pjesës maqedonase të interkonektorit të gazit
me Greqinë, ne shënojmë fillimin e investimit më të madh energjetik në Maqedoninë e Veriut
në dhjetë vitet e fundit. Ky interkonektor është dëshmi se kur ka vullnet politik, besim rajonal
dhe angazhim profesional – rezultatet janë reale dhe të prekshme."
Projekti, i vlerësuar në mbi 5.1 miliardë denarë, do të zbatohet me mbështetjen e Bashkimit
evropian, Bankës evropiane të investimeve (BEI) dhe Bankës europiane për rindërtim dhe
zhvillim (BERZH), përmes granteve, asistencës teknike dhe kredive të favorshme.
Drejtori Ekzekutiv i NOMAGAS SHA Shkup, z. Muhamet Elmazi, deklaroi:
"Ky është një projekt historik që jo vetëm që lidh sistemin tonë energjetik me Greqinë, por
gjithashtu na ofron akses në tregjet evropiane të energjisë. Faleminderit të gjithë partnerëve
për besimin dhe bashkëpunimin e tyre."
Gazsjellësi do të ketë një kapacitet fillestar prej 1.5 miliardë metra kub gaz në vit, me
mundësi zgjerimi në 3 miliardë. Kohëzgjatja e ndërtimit është 22 muaj dhe interkonektori
parashikohet të jetë funksional në vitin 2027. Puna do të kryhet nga kompania vendase, Rapid
Build LLC, dhe rruga e ndërtimit do të dorëzohet menjëherë pas nënshkrimit të kontratës.

Në fjalimin e tij, Drejtori i Rapid Build LLC, z. Toni Karanfilovski, theksoi se kompania
është plotësisht e përgatitur për zbatimin e këtij projekti kapital infrastrukturor:
"Rapid Build ka staf me ekspertizë dhe ka pajisjet e plota teknike të nevojshme për realizim
në kohë dhe me cilësi të lartë. Përvoja jonë e deritanishme përfshin projekte të zbatuara me
sukses përtej kufijve të vendit, që është një konfirmim i seriozitetit, profesionalizmit dhe
aftësisë sonë për të respektuar të gjitha afatet dhe standardet e përcaktuara", tha Karanfilovski.
Projekti përfaqëson një hap konkret përpara drejt përmbushjes së standardeve të BE-së për
efikasitetin e energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit. Interkonektori gjithashtu do të kontribuojë në
një reduktim të ndjeshëm të ndotjes, veçanërisht në komunat ku druri dhe nafta përdoren ende
për ngrohje, gjë që do të përmirësojë cilësinë e ajrit dhe do të zvogëlojë emetimet e CO₂.