Një aksident tronditës ndodhi gjatë provave zyrtare të Çmimit të Madh të Imolas në pistën historike “Autodromo Enzo e Dino Ferrari” në Itali, duke shkaktuar shqetësim të madh në botën e Formula 1. Piloti japonez i Red Bull-it, Yuki Tsunoda, humbi kontrollin e makinës gjatë një xhiroje të shpejtë dhe u përplas me barrierat, pas një përmbysjeje dramatike.
Tsunoda, i cili këtë sezon kishte nisur të tregonte përmirësim pas kalimit nga Racing Bulls te Red Bull, po tentonte të përmirësonte kohën e tij. Por në kthesën “Villenueve”, ai kaloi mbi bordurën e brendshme, humbi kontrollin dhe makina përfundoi në zonën me zhavor. Për shkak të shpejtësisë së madhe, ajo nuk arriti të ndalej dhe u përmbys para se të përplasej fort me murin mbrojtës.
Fatmirësisht, piloti doli vetë nga makina pa ndihmën e askujt dhe u dërgua menjëherë në qendrën mjekësore për kontrolle. Më vonë, ai u kthye në paddock dhe kërkoi falje ndaj skuadrës për gabimin. “Jam i zhgënjyer me veten. U kërkoj ndjesë të gjithëve në ekip, veçanërisht mekanikëve që do të kenë një natë të vështirë përpara,” tha ai për Sky Sports.
Aksidenti shkaktoi ndërprerjen e seancës kualifikuese për rreth një orë, duke krijuar shqetësim të madh mes pilotëve dhe skuadrave. Edhe Max Verstappen u shpreh i befasuar që Tsunoda shpëtoi pa lëndime: “Kur pashë pamjet, mendova: ‘Jezus, a është me të vërtetë mirë?’ Ishte një përplasje e rëndë.”
Imola konsiderohet si një ndër pistat më të rrezikshme të kampionatit dhe ky incident ka shtuar debatet për sigurinë, me disa zëra që sugjerojnë madje heqjen e këtij Çmimi të Madh nga kalendari i ardhshëm.
Pas pastrimit të pistës, seanca rifilloi për disa minuta, por u ndërpre sërish pas një tjetër aksidenti, këtë herë nga piloti i Alpine, Franco Colapinto, i cili gjithashtu nuk pësoi lëndime.
Në fund, pole position-i iu dha Oscar Piastrit të McLaren, përpara Max Verstappenit.
Tsunoda, i cili nuk arriti të regjistronte asnjë kohë për shkak të aksidentit, pritet të niset nga vendi i fundit në garën e së dielës, nëse makina e tij mund të riparohet në kohë.
Yuki’s moment in qualifying
Again, thank goodness he is out of the car and alright.pic.twitter.com/MNOtKTU3SJ
— RBR Daily (@RBR_Daily) May 17, 2025