Ancelotti shpjegon mungesat e vazhdueshme të Rodrygos

Real Madridi do të ketë nëntë mungesa për ndeshjen e La Ligas ndaj Mallorcas, përfshirë këtu edhe yllin brazilian, Rodrygo Goes i cili doli nga stërvitja e së martës duke çaluar.

Vazhdon të jetë një seri e mungesave nga Rodrygo, i cili përpos kësaj është i përmendur edhe si kandidat potencial për t’u larguar nga klubi gjatë verës.

Pas largimit në pjesën e parë nga Kupa e Mbretit në ndeshjen finale ndaj Barcelonës, Rodrygo mungoi në ndeshjen e radhës ndaj Celta Vigos, pas një problemi shëndetësor.

Vetëm 24 orë para El Clasicos së 11 majit, u tha se Rodrygo është i gatshëm për të luajtur nga Carlo Ancelotti.

Por, edhe pse Vinicius Jr u largua nga ajo ndeshje si i lënduar, Rodrygo as nuk u vu në nxehje, edhe pse ishte pjesë e bankës rezervë.

Ishte raportuar se Rodrygo e ka pyetur Ancelottin për të mos luajtur ndaj Barcelonës, por kjo u mohua nga trajneri italian i Realit.

“Rodrygo kishte temperaturë, e cila nuk e lejoi atë të performojë më së miri. Sot në stërvitje, ai kishte probleme në këmbën e tij. Nuk e di në cilën. Dhe ai nuk ishte mirë: nuk u rikuperua nga temperatura. Pastaj kishte shumë spekulime rreth kësaj. Të gjithë e kanë një admirim të veçantë për Rodrygon, sidomos unë”, tha Ancelotti.

Ai po ashtu u pyet rreth gjendjes emocionale të brazilianit.

“Kur një lojtar nuk është mirë me shëndet, ai nuk është mirë as emocionalisht. Ai dëshiron t’i tregojë cilësitë e tij, të ndihmojë ekipin. Është normale”, shtoi trajneri italian.

Shumica e raportimeve nga kryeqyteti spanjoll thonë se Rodrygo nuk do të jetë një startues i rregullt sezonin e ardhshëm për Xabi Alonson, me lojtarin dhe klubin që po konsiderojnë ndarjen gjatë verës.

Thuhet se një vendim do të merret në ditët në vazhdim, me “Los Blancos” që po shpresojnë që kjo të zgjidhet, në një mënyrë ose tjetrën.