7 maj 2025, Shkup – Sot, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, në kuadër të vizitës së saj të punës në Turqi, mbajti fjalim hyrës në Forumin e 28-të Ekonomik Euroaziatik, organizuar nga Fondacioni Marmara, ku theksoi se të gjithë së bashku, përmes ideve, nismave dhe bashkëpunimit të përbashkët, mund t’i tejkalojmë sfidat me të cilat përballemi.

“Vitet që po kalojnë, veçanërisht pandemia e Covid-it solli një realitet të ri dhe krijoi shumë sfida me të cila u përballuam dhe po përballemi ende. Lufta në Ukrainë, kriza energjetike, inflacioni, kushtet e reja të ndryshuara në tregjet financiare, politikat aktuale me doganat janë pasiguri në nivel global, që në masë të vogël ose të madhe po i ndjejmë të gjithë, ndërsa përpjekjet që i bëjmë dhe energjia për t’u përballur me to, ndryshon. Dikush i tejkalon këto më lehtë, e dikush më vështirë, por së bashku mund të bëjmë më shumë”, potencoi ministrja.

Ajo shtoi se, Maqedonia si ekonomi e vogël dhe e hapur, atë që po ndodh në nivel global dhe sisodmos në Evopë, e ndjen edhe në vend, prandaj politikat e Qeverisë orientohen në përkrahjen e ekonomisë vendore në periudhë afatshkurtër për uljen e ndikimit të këtyre goditjeve të jashtme dhe rritjen e konkurrueshmërisë së saj.

Gjithashtu, ajo theksoi se po zhvillojmë marrëdhënie miqësore me Turqinë dhe se ajo është përkrahësja jonë më e madhe në zbatimin e reformave që do ta përshpejtojnë rrugën tonë drejt prosperitetit të fuqishëm.

Sot, ministrja Dimitrieska-Koçoska do të marrë pjesë edhe në panelin e diskutimit në kuadër të Forumit Ekonomik Euroaziatik me temën “Ku jemi dhe ku dëshirojmë të jemi? Sfidat në vend dhe në Evropë – rruga drejt një të ardhmeje të suksesshme”.

Samiti i këtij viti i Fondacionit Marmara i dedikohet temës “Një botë më humane”, ku marrin pjesë liderë euroaziatikë që diskutojnë për tema aktuale që lidhen me ekologjinë, ekonominë, energjinë, inteligjencën artificiale, bashkëpunimin ndërkombëtar në sektorin e shëndetësisë e kështu me radhë.