Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha sot në Tiranë se bota ka nevojë për një arkitekturë të re të administrimit global për ta tejkaluar atë që ai e përshkroi si zbehje ndaj besimit në arenën ndërkombëtare, raporton Anadolu.

Erdoğan mbajti fjalim në seancën e parë plenare të Samitit të Komunitetit Politik Evropian i cili po mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë me pjesëmarrje të gjerë liderësh evropianë dhe të institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare.

“Për ta tejkaluar zbehjen e besimit në arenën ndërkombëtare, kemi nevojë për ndërtimin e një arkitekture administruese globale të drejtë dhe gjithëpërfshirës”, theksoi presidenti turk.

Erdoğan i kërkoi të premten Bashkimit Evropian të përditësojë Unionin Doganor dhe të rishikojë praktikat e vizave Shengen për të nxitur lëvizshmërinë ekonomike dhe sociale.

“Praktikat e vizave si ajo e Shengenit, të cilat kufizojnë lëvizshmërinë e qytetarëve tanë dhe, si pasojë, qarkullimin e mallrave, shërbimeve dhe kapitalit duhet të rishqyrtohen”, porositi ai.

Ai tha se Turqia beson se “përditësimi i Unionit tonë Doganor me BE-në do të kontribuojë në sigurinë e zinxhirëve të furnizimit”.

Presidenti Erdoğan shtoi se kufizimet e vazhdueshme jo vetëm që pengojnë lëvizjen e qytetarëve, por gjithashtu ndikojnë negativisht në lidhjet tregtare dhe integrimin më të gjerë ekonomik me Evropën.

“Si kontinent evropian, ne duhet të fillojmë transformimin nga brenda bazuar në parimet e sigurisë së pandashme dhe shpërndarjes më të drejtë të prosperitetit”, vuri në dukje ai.

Erdoğan theksoi se “në këtë kohë kritike, kur po diskutojmë të ardhmen e sigurisë së Evropës, përpjekjet e BE-së për të zhvilluar industrinë e saj të mbrojtjes janë të dobishme”.

Ai gjithashtu u kërkoi vendeve evropiane të tregojnë gatishmërinë dhe interesin e nevojshëm për të ndihmuar në vendosjen e një armëpushimi në Gaza.

Lidhur me luftën në Ukrainë, Erdoğan theksoi se inkurajimi si i Rusisë, ashtu edhe i Ukrainës pa imponuar kushte, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e procesit, është çelësi për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.

Erdoğan u prit nga kryeministri Edi Rama në hyrje të sheshit “Skënderbej”.

Në vendin ku po mbahet samiti, Erdoğan u pa duke biseduar shkurtimisht me disa udhëheqës, përfshirë kryeministren daneze Mette Frederiksen, presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev dhe presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.