Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, i ngarkuar për politikat e
qeverisjes së mirë, Arben Fetai, priti sot një delegacion të Partneritetit për Qeverisje të
Hapur (OGP), i udhëhequr nga Paul Braithwaite, menaxher rajonal për Evropën. Gjatë
takimit u diskutua mbi luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e transparencës si themel
i një qeverisjeje të mirë.
Zëvendëskryeministri Fetai prezantoi prioritetet e kabinetit të tij, me theks të veçantë në
udhëheqjen e Trupit Ndër-resorial për Koordinimin e Luftës kundër korrupsionit dhe
ndjekjen e rezultateve konkrete institucionale. Ai theksoi rëndësinë e rritjes së
transparencës, veçanërisht sa i përket qasjes në të dhënat mbi pronësinë reale të
kompanive.
Nga ana e tij, z. Braithwaite shprehu mbështetjen e platformës OGP për reformat
qeveritare përmes ndarjes së praktikave të mira dhe ekspertizës ndërkombëtare. Palët
u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit, me qëllim krijimin e bazës për ndjekjen
efektive të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe për gjetjen e një zgjidhjeje ligjore
që mundëson publikimin e pronarëve të vërtetë të kompanive që përfitojnë nga tenderët
publikë, në përputhje me praktikat më të mira evropiane.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume