Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar përmes një komunikate zyrtare, rreth procesit të shitjes së biletave për ndeshjen e madhe Shqipër – Serbi.
Ky reagim nga ana e shtëpisë së futbollit shqiptar vjen, pasi u raportua se FSHF-ja dëshiron mos t’i pranojë tifozët nga Kosova për këtë ndeshje.
“Federata e Futbollit dëshiron të përgënjeshtrojë kategorikisht një lajm të shpërndarë së fundmi nga një media online me bazë në Zvicër, që pretendon në mënyrë të rreme dhe pa asnjë bazë faktike se tifozët shqiptarë nga Kosova janë të përjashtuar nga ndeshja Shqipëri–Serbi, që luhet më 7 qershor në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Ky informacion është krejtësisht i pavërtetë dhe abuziv. FSHF i ka dërguar një komunikim zyrtar medias në fjalë dhe është në pritje të një përgjigjeje formale”, ka thënë FSHF-ja.
Tutje, FSHF-ja ka shtuar se ky proces i shitjes së biletave do të jetë transparent dhe do të jetë i hapur për të gjithë tifozët.
“Sqarojmë se procesi i shitjes së biletave për ndeshjen Shqipëri–Serbi do të kryhet përmes një sistemi transparent dhe të hapur për të gjithë tifozët, pa asnjë diskriminim apo përjashtim”, shton federata shqiptare.
“Aplikimi për bileta do të nisë më 15 maj, përmes një formulari elektronik që do të publikohet në faqen zyrtare të FSHF-së. Afati i aplikimit do të zgjasë dy javë dhe në fund të muajit maj do të zhvillohet një short kompjuterik, për të përzgjedhur tifozët që do të kenë të drejtën të blejnë biletat. Të përzgjedhurit do të njoftohen me email”, përfundon FSHF-ja në komunikatën e saj.