Një yll i Real Madridit, i cili raportohet se po refuzon të luajë për klubin, është lidhur me një transferim të mundshëm në Premier League.

Ka qenë një sezon i dobët për “Los Blancos” në arenën vendase, pasi u mposhtën në garën për titullin e La Ligës nga rivalët e përjetshëm, Barcelona.

Klubi katalanas fitoi gjithashtu Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës, që do të thotë se Real Madridi do ta mbyllë sezonin 2024/25 pa asnjë trofe vendas.

Në Evropë, madrilenët fituan Superkupën e UEFA-s, por u eliminuan në çerekfinale të Ligës së Kampionëve nga Arsenali.

Në horizont është një verë ndryshimesh për Realin, me trajnerin Carlo Ancelotti që do të largohet për të marrë drejtimin e përfaqësueses së Brazilit.

Ish-lojtari Xabi Alonso pritet të bëhet trajneri i ri i madrilenëve, pas konfirmimit të largimit nga Bayer Leverkusen.

Ndërkohë, së fundmi është raportuar se sulmuesi brazilian Rodrygo po refuzon të luajë për klubin, dhe situata është përshkruar si “e tensionuar”.

Sipas të përditshmes Marca, lojtari ndjehet “i lënë mënjanë” pas “shpërthimit mediatik” që kanë shkaktuar ardhjet e Jude Bellingham dhe Kylian Mbappé, çka ka krijuar një “përçarje” edhe në marrëdhënien me Vinicius Jr.

Raporti shton se “Rodrygo është aktualisht i izoluar në shtëpinë e tij, qartësisht i zemëruar që ka humbur rolin kryesor që kishte shpresuar ta ndante me Viniciusin”, me sugjerime se ai nuk dëshiron më të luajë për klubin.

Me afatin kalimtar të verës që po afron, Rodrygo është lidhur me një transferim në Premier League, ku Arsenali përmendet si një prej kandidatëve seriozë për të nënshkruar me të.

Gazetari i talkSPORT, Alex Crook, u shpreh: “Mora një mesazh këtë javë që më tha: mbaji sytë tek Arsenali dhe Rodrygo.”

Ndërkohë, Sam Marsden nga ESPN shtoi: “Po, është më shumë se thjesht një sugjerim. Real Madridi duhet të marrë një vendim të madh këtë verë. Rodrygo duket se është ai që po shtyhet drejt daljes. Mendoj se njëri mes tij dhe ndoshta edhe Vinicius Jr do të largohet. Sepse aty janë Mbappé, Vinicius, të gjithë duan të luajnë në të njëjtin pozicion. Nuk dihet sa ndikim do të ketë Xabi Alonso në këtë çështje.”

Ai shtoi gjithashtu: “Rodrygo e ka bërë të qartë se dëshiron të luajë në krahun e majtë, por ka luajtur në të djathtën te Reali, ndaj është lojtari më i dukshëm për t’u larguar.”