Komisioni për sëmundje infektive pranë Ministrisë së Shëndetësisë, në lidhje me dy rastet e konfirmuara të lisë e majmunëve, në mbledhjen e sotme miratoi rekomandimin për vetëizolim dhe mbikëqyrje shëndetësore për të dy personat e prekur.
“Përveç kësaj, po ndiqet gjendja e personave që kanë qenë në kontakt të ngushtë me të prekurit dhe, nëse shfaqin simptoma, ata do t’i nënshtrohen testimit për këtë sëmundje në Institutin për Shëndet Publik. Komisioni u bën apel qytetarëve që të respektojnë masat higjienike për mbrojtje personale nga sëmundjet infektive dhe, në rast të shfaqjes së mundshme të simptomave të kësaj sëmundjeje, të paraqiten te mjeku i tyre amë”, thonë nga KSI.
Ata shtojnë se te mjekët amë do të shpërndahet informacioni mbi protokollin e përcaktuar për kontrollin, testimin dhe trajtimin e pacientëve të mundshëm.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Komisioni për sëmundje infektive vazhdimisht e ndjekin situatën dhe do të reagojnë në kohë dhe në mënyrë adekuate. Prioriteti ynë është mbrojtja e shëndetit publik”, thonë nga KSI.
Kujtojmë se Instituti i Shëndetit Publik mbrëmë vonë njoftoi se janë regjistruar për herë të parë në Maqedoni dy raste të lisë së majunëve.