Në Maqedoninë e Veriut sot shënohet Dita e Iluministëve pansllavë, vëllezërve Kirili dhe Metodi, të cilët janë themeluesit e shkrim-leximit dhe letërsisë sllave dhe për kontributin e tyre në zhvillimin kulturor të të gjithë popujve sllavë.

Me rastin e kësaj dite kanë uruar krerët shtetëror.

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova ka thënë se kjo ditë është një kujtesë e fuqishme e vlerës së qëndrueshme të misionit të tyre, sipas saj një vlerë, rrënjët e së cilës shtrihen thellë në kulturë, dije dhe unitet shpirtëror.

“Shenjtorët Kirili dhe Metodi jo vetëm që na dhanë alfabetin glagolitik, por me të ndërtuan një themel të fortë kulturor dhe qytetërues pansllav që vazhdon të mbështesë identitetin tonë edhe sot e kësaj dite. Përmes përkushtimit dhe vizionit të tyre, ata hapën rrugën për shkrim-lexim dhe të mësuar në gjuhën e tyre – një dhuratë që ka fuqizuar shumë breza dhe ka ruajtur zërin tonë përgjatë shekujve”, tha Siljanovska Davkova.

Në emër të Qeverisë uroi edhe kryeministri Hrisrijan Mickoski.

“Kremtimi i vëllezërve Kirili dhe Metodi, të cilët janë themeli i shkrim-leximit të popujve sllavë dhe krijues të alfabetit sllav Gllagolicës, sipas të cilit më vonë u krijua edhe alfabeti cirilik, është dëshmi se misioni i tyre fisnik vazhdon të bashkojë edhe sot. Vëllezërit Kirili dhe Metodi që atëherë promovuan vizionin se fuqia e një populli dhe shteti qëndron në arsim, shkencë dhe në shkrim-lexim. Dhe pikërisht falë spiritualitetit dhe përkushtimit të tyre, sot edhe ne mund ta zhvillojmë kulturën, arsimin dhe shkencën në gjuhën amtare”, tha Mickoski.

Në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut uroi edhe kryeparlamentari Afrim Gashi.

“Kjo ditë na kujton misionin madhështor të vëllezërve iluministë sllavë, të cilët, përmes krijimit të alfabetit glagolik dhe përhapjes së shkrim-leximit, lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë dhe kulturën e popujve sllavë. Si Kuvend, mbetemi të përkushtuar ndaj promovimit të arsimit, kulturës dhe diversitetit gjuhësor – si vlera themelore të një shoqërie demokratike dhe të përparuar”, tha Gashi.

Me rastin e kësaj dite kanë uruar edhe politikanë, institucione dhe funksionarë të tjerë.

Kjo ditë në vend shënohet me ngjarje të ndryshme.