Ilir Meta, presidenti i Partisë së Lirisë, ka reaguar për herë të parë pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ku mbeti jashtë Kuvendit të Shqipërisë, duke mos arritur të sigurojë një mandat deputeti, edhe pse garoi si pjesë e listës së hapur të koalicionit Aleanca për Shqipërinë Madhështore.

Nga qelia ku ndodhet i burgosur, Meta ka falënderuar publikisht rreth 8 mijë qytetarët që votuan për të, duke i cilësuar ata si “heronj”.

“Së pari falenderoj rreth 8 mijë zgjedhës që votuan për Ilir Metaj, të cilët i rezistuan presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit dhe nuk e shitën as lirinë, as shpirtin dhe as karakterin e tyre përballë një makinerie kriminale shtetërore, që cënoi rëndë standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës në themel të tij. Për mua ata nuk janë votues por heronj dhe do të gëzojnë përjetë të gjithë mirënjohjen time të pakufijshme”, shkruan Meta.

Në vijim të deklaratës së tij, Meta i është përgjigjur edhe zërave që kanë sugjeruar dorëheqjen e kandidatëve fitues të Partisë së Lirisë në Qarkun Tiranë, për t’i hapur rrugën hyrjes së tij në Kuvend.

“Disa zëra dashamirës, por edhe të tjerë djallëzorë, sugjerojnë si mënyrë për marrjen e mandatit tim parlamentar, dorëheqjen e kandidatëve të Partisë së Lirisë në listën e mbyllur të Qarkut Tiranë. Dua t’i siguroj të gjithë se Ilir Metaj që nga viti 2008, që kur u bënë ndryshimet e mbrapshta kushtetuese, ka luftuar për përfaqësim vetëm nëpërmjet vullnetit të lirë dhe të hapur të qytetarëve, në mënyrë të vazhdueshme dhe parimore, sepse kjo është çështje e bindjes dhe karakterit tim dhe si pasojë nuk mund të pranoj asnjë marifet apo zgjidhje pragmatiste që shkon në kundërshtim me kauzat madhore për cilat unë kam luftuar dhe do luftoj gjithmonë.”

Ai ka vlerësuar gjithashtu përkushtimin e bashkëpunëtorëve të tij.

“Dëshiroj të falenderoj dhe vlerësoj Tedi Blushi, dhe kolegët e tjerë në Partinë e Lirisë të cilët luftuan me përkushtim në këtë fushatë të pabarabartë përballë Narkoshtetit dhe makinerisë së tij zgjedhore kriminale, pabesive dhe thikave pas shpine.”