“Më lejoni që fillimisht të shpreh falënderimet e mia për vizitën e zonjës Kaja Kallas, përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë.
Prania e saj sot në Shkup është mesazh i rëndësishëm se Bashkimi Evropian nuk e harron këtë rajon dhe se ekziston interes legjitim për gjendjet dhe përpjekjet tona.
Biseduam hapur!
Ashtu siç u takon partnerëve që synojnë një të ardhme të përbashkët.
Biseduam për rrugën drejt Bashkimit Evropian – një rrugë që nuk ka qenë as e lehtë, as e shkurtër, e as gjithmonë e drejtë.
Një rrugë me shumë sfida, kompromise por dhe fatkeqësisht, pritje shumë të gjatë.
Përcaktimi ynë mbetet i qartë – ne i përkasim Bashkimit Evropian.
Jo sepse dikush na e ka borxh këtë, por sepse prej dekadash po ndërtojmë një shoqëri mbi vlerat demokratike, sundimin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe fqinjësinë e mirë.
Sepse ne investojmë, sakrifikojmë dhe ndryshojmë – me shpresë se përpjekja jonë do të njihet.
Megjithatë, ky përkushtim duhet të shpërblehet.
Ky shtet ka të drejtë të presë një konfirmim shumë më të qartë, më të hapur dhe më të ndershëm nga vetë Bashkimi.
Sepse, do të pajtohemi – jo të gjitha shtetet anëtare dhe jo gjithmonë, sillen në frymën evropiane.
Të dashur miq,
Sot gjatë bisedës kërkova trajtim të drejtë.
Kërkova konsistencë.
Evropa të tregojë lidership që do të sjellë diçka të vlefshme për qytetarët në realitet.
Të rikthehet besimi në idenë evropiane, veçanërisht te të rinjtë.
Këtë e them jo vetëm si politikan, por edhe si njeri dhe profesor që punon me të rinjtë.
Të tregojmë se Bashkimi Evropian nuk është i mbyllur, por për ne është një vizion i gjallë – një komunitet vlerash, i hapur për ata që i jetojnë ato vlera.
Sot nuk flasim vetëm për reforma – ne i jetojmë ato reforma.
Dhe këtë nuk e bëjmë për të marrë duartrokitje, por sepse besojmë se kjo është rruga e duhur.
Besojmë në ëndrrën evropiane – por edhe kërkojmë që ajo të jetë një ëndërr e arritshme për të gjithë.
Prandaj e përshëndes inaugurimin e sotëm të Dialogut të Parë për Sigurinë dhe Mbrojtjen me Bashkimin Evropian.
Kjo nuk është vetëm një simbolikë e zakonshme!
Është një sinjal që po ecim në të njëjtin drejtim.
Bashkëpunimi me Grupin Punues Ballkanik për Mjekësi dhe mbështetja që marrim në fushën e mbrojtjes, shëndetësisë dhe politikave për të rinjtë, janë gjithashtu hapa që kanë shumë rëndësi për ne.
Pavarësisht sfidave, besoj se e ardhmja është në anën tonë.
Besoj tek qytetarët tanë, tek vendosmëria, durimi dhe pjekuria e tyre.
Besoj edhe në vizionin e Bashkimit Evropian – si një komunitet që vlerëson parimet, nuk harron kontributin dhe di kur është koha për të bërë hapin e duhur.
Dora jonë mbetet e shtrirë.
Jemi të hapur për miqësi, dialog dhe bashkëpunim.
Por qëndrojmë të fortë, të drejtë dhe me dinjitet – me një mesazh të qartë: ne jemi të përgatitur. Europa mund të mbështetet tek ne dhe tani është koha që edhe ne të fillojmë të mbështetemi tek Europa.
Le të jetë ky takim edhe një urë tjetër – urë besimi, mirëkuptimi dhe të ardhme të përbashkët” ka thënë Mickovski