Shkolla fillore “Gjorgjia Pulevski” në Shkup ka diskriminuar në mënyrë indirekte një nxënës mbi bazën e aftësisë së kufizuar në arsim, konstatoi Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Në fund të vitit 2024, në një klasë të gjashtë u transferua një nxënës i cili më parë kishte qenë viktimë e dhunës.

Sipas përshkrimit në ankesë, pas transferimit në klasën e re, viktima u shndërrua në dhunues – ndaj një fëmije me vështirësi në të mësuar dhe në të shprehur, përdorte fjalë fyese si “budalla”, “i retarduar”, e shtynte, i vendoste pengesa dhe i shkelmonte çantën, e provokonte vazhdimisht. E gjithë kjo kulmoi kur i dha një shuplakë dhe ndodhi një përplasje fizike mes dy fëmijëve në korridorin e shkollës. Fëmija i maltretuar reagoi duke ia thyer telefonin bashkëmoshatarit dhe duke e kafshuar. Nëna e fëmijës së maltretuar kishte raportuar në shkollë, por ata nuk kishin reaguar derisa djali i saj nuk ia theu telefonin dhunuesit – dhe atëherë të dyve u është dhënë një vërejtje gojore.

Nëna u ankua në Komision se djali i saj u vërejt verbalish pa u shqyrtuar se çfarë kishte çuar në atë reagim, përkatësisht pa u marrë parasysh se ai ishte rezultat i një dhune të raportuar, që shkolla kishte injoruar. Ajo theksoi se shkolla kishte qenë në dijeni se djali i saj kishte zhvillim atipik dhe vështirësi të veçanta në të mësuar, se nuk mund të shprehej dhe të konfrontohej verbalish, megjithatë nuk ndërmorën asnjë hap për denoncimet e dhunës, duke krijuar kështu diskriminim për shkak të trajtimit të ndryshëm.

Më 30 janar 2025, në një takim me drejtorin e shkollës, ai kishte deklaruar se “fëmija duhet të mësohet dhe të përgatitet për sfidat në jetë kur ngacmohet, e jo të qajë vazhdimisht”, thuhet në ankesë.

Një javë më parë, nëna kishte pyetur mësuesen nëse kishte parë që fëmija i saj ishte goditur me shuplakë. Rreth ngjarjes, ajo shpjegon se bashkëmoshatari i kishte bërtitur djalit të saj, ai ishte ngritur nga karrigia dhe i kishte rrëzuar kullën e ndërtuar me lodra, pas së cilës kishte marrë një shuplakë.

Nëna shtoi se që nga momenti i transferimit të nxënësit dhunues, djali i saj kishte ndryshuar sjellje, nuk donte të shkonte në shkollë, përjetonte stres të vazhdueshëm dhe nuk arrinte të përballej me situatën. Ajo theksoi se diskriminimin e sheh në faktin që shkolla nuk mori parasysh nevojat e veçanta arsimore të fëmijës, nuk e trajtoi si fëmijë me zhvillim atipik i cili nuk mund të shprehej si të tjerët dhe nuk mori parasysh dhunën psikologjike që po i bëhej.

Ajo kishte kërkuar tre herë të merrej mendimi i psikologut për të kuptuar se çfarë po ndodhte me djalin. Ajo shpjegon se djali nuk ka aftësi për të treguar se si po keqtrajtohej dhe se ajo kishte marrë vesh nga nëna të tjera ose bashkëmoshataret e tij. Edukatori special që punonte me të kishte sinjalizuar që në dhjetor të vitit 2024 se “diçka po ndodhte me fëmijën”, sepse nuk donte të shkonte në shkollë – gjë që nuk kishte ndodhur më parë. Nëna ishte përpjekur të bisedonte me djalin por ai nuk kishte dashur të fliste.

Në takimin e parë me psikologun, ai kishte thënë se fëmija me shumë gjasa ishte viktimë e dhunës nga bashkëmoshatarët dhe ishte shqetësuar nga disa fëmijë që i thoshin: “kopil”, “budalla”, “memec”, “i retarduar”. Ajo thekson se fëmija e dinte që ishte ndryshe nga fëmijët e tjerë.

Shkolla filloi të reagonte vetëm pasi u përfshinë avokatët dhe Komisioni për Diskriminim.
Në përgjigjen dërguar Komisionit, shkolla deklaroi se deri më 29.12.2024 nuk ishin raportuar probleme mes dy nxënësve, përveç një incidenti në palestër që ishte zgjidhur menjëherë. Por Komisioni thekson se është detyrë e shkollave të dinë për sjellje të dhunshme mes nxënësve, edhe pa pasur raportime.

Shkolla më pas përmendi incidentin kur fëmija i maltretuar ia kishte thyer telefonin bashkëmoshatarit dhe e kishte kafshuar. Nëna beson se kjo ishte reagim pas injorimit të gjatë të dhunës dhe fyerjeve ndaj të birit – një fëmijë me zhvillim atipik.

Me fillimin e gjysmëvjetorit të dytë, shkolla formoi ekipe mbështetëse, drejtori ngarkoi mësuesit për kontroll më të madh në klasë dhe korridore gjatë pushimeve, mbajti takime me mësuesit dhe organizoi punëtori kundër dhunës. Kujdestarët bisedonin rregullisht me nxënësit për të krijuar atmosferë pozitive dhe për të nxitur raportimin në kohë të konflikteve.

Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi konstatoi se kishte diskriminim indirekt ndaj fëmijës dhe se “shkolla mori masa vetëm pas ankesës nga Komisioni”.

Shkolla nuk kishte vepruar siç duhet për ankesat, edhe pse ishte në dijeni se fëmija kishte probleme në të nxënë dhe në të folur. Kishte dy ankesa të dërguara te drejtori por nuk u morën masa për të mbrojtur nxënësin që raportoi dhunën. Pas raportimeve për ngacmime, shkolla ndërmori masa, por jo të mjaftueshme për të mbrojtur viktimat.

Komisioni i rekomandoi shkollës “Gjorgjia Pulevski” që në raste të ngjashme në të ardhmen të veprojë në përputhje me Ligjin për Arsimin Fillor dhe Udhëzimin për raportim dhe mbrojtje të nxënësve nga çdo formë dhune. U rekomandua që stafi dhe drejtori të promovojnë barazi dhe drejtësi për të gjithë nxënësit dhe të kundërshtojnë çdo formë të diskriminimit dhe dhunës, si dhe stafi arsimor të përforcojë aftësitë e veta për të punuar me fëmijë me aftësi të kufizuara me fokus në parandalim dhe mbrojtje, përmes trajnimeve dhe edukimit të vazhdueshëm.