Më 7 maj 2025, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare
“Disidenca letrare shqipe”, të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës
(ASHAK), Sesioni i gjuhës dhe i letërsisë. Në këtë konferencë me tematikë të rëndësishme
kulturore dhe historike, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani u paraqit me studimin “Disidenca e mohuar e
letrave shqipe”, i cili u mirëprit nga studiuesit e pranishëm. Në këtë punim, ai trajtoi çështjen e
mungesës së njohjes së plotë të disidencës letrare në hapësirën shqiptare, duke sfiduar qasjet që
kufizojnë konceptin e disidencës vetëm në format e saj politike. Duke analizuar mënyrat në të cilat
autorët shqiptarë shprehën mospajtim me regjimin përmes mjeteve artistike si alegoria, metafora
dhe ironia, studimi vë theksin mbi nevojën për një qasje më gjithëpërfshirëse ndaj krijimtarisë
letrare të periudhës komuniste. Profesor Sulejmani solli shembuj të veprave që sfiduan kornizat e
ngurta të realizmit socialist dhe vlerësoi guximin e autorëve që, në kushte represive, arritën të
shprehin qëndrime jo-konformiste.
Duke u mbështetur edhe në qëndrime të studiuesve të huaj dhe vendas, si Rusana Hristova dhe
akademik Shaban Sinani, studimi i Prof. Dr. Fatmir Sulejmanit nënvizon rëndësinë e rishikimit
kritik të qëndrimeve ndaj letërsisë së asaj kohe dhe njohjen e kontributeve të autorëve që, përmes
veprës, shfaqën forma të qarta të disidencës kulturore dhe letrare. Konferenca “Disidenca letrare
shqipe” mblodhi studiues dhe ekspertë nga trojet shqiptare dhe jashtë tyre, duke shërbyer si
platformë për shkëmbimin e mendimeve dhe promovimin e studimeve të reja rreth rolit të letërsisë
në kontekstet e shtypjes ideologjike.
Në vijim një fragment të shkurtër nga studimi i paraqitur në konferencën e sipërthënë:
Si gjithë letërsitë tjera të bllokut komunist edhe letërsia shqipe ka një listë krijuesish të llojeve të
ndryshme të disidencës. Por ne sikur hezitojmë ta pranojmë disidencën e shkrimtarëve tanë, që
kurrë nuk i krahasojmë me disidentët e vendeve të tjera të bllokut komunist, edhe pse janë
përndjekur e persekutuar njësoj për shkak të shpërfaqjes së mospajtimit të hapur apo të fshehtë me
dogmat zhdanoviste, që tkurrën tej mase kornizat e artit dhe të kulturës përgjithësisht.
Studiuesja Rusana Hristova nga Universiteti i Sofjes, thekson “Në kërkim të përgjigjes se cila
letërsi e shkruar gjatë regjimit komunist duhet të quhet disidente, mbeti ndërmjet dhënies së
përparësisë autorëve të përndjekur e të dënuar dhe të gjithë krijuesve të veprave që mund të
rezultonin me pasoja, sepse vija ndarëse ndërmjet tipave të ndryshëm të disidencës ishte shumë e
hollë dhe këtë e kuptojnë ata që provuan shijen e hemisferës së kuqe të botës”.
Ky qëndrim mjafton për ta kuptuar se përveç disidencës politike që kundërshton drejtpërsëdrejti
ideologjinë sunduese dhe kërkon ndryshimin e sistemit me fjalime publike dhe me protesta,
ekzistojnë edhe lloje të tjera disidencash, si disidenca letrare, e cila sfidon regjimin nëpërmjet
alegorive, aluzioneve, metaforave dhe mjeteve të tjera që ka në disponim shkrimtari.
Këtë duhet ta dijë çdokush që përkufizon llojet e ndryshme të disidencës, si në shembujt në vijim:
Shembulli i parë: Disidentët e vërtetë duhet kërkuar në shtetet si BRSS, jo në shtetet si Shqipëria
komuniste. Kjo, sepse regjimi i BRSS i dëbonte disidentët politikë e letrarë në shtetet tjera, kurse
diktatura moniste shqiptare i dënonte me burgje të rënda ose i pushkatonte.

Njësia për protokoll dhe marrëdhënie me opinionin-Одделение за протокол и односи со јавноста-

Department for protocol and Press office
Str. Ilinden nn. 1200 Tetova, Republic of North Macedonia
www.unite.edu.mk – e-mail: [email protected]

Logjika e këtillë mëton të bindë lexuesit se disidentë të vërtetë janë vetëm ata që marrin dënime më
të lehta se pushkatimi?!
Shembulli i dytë: Shkrimtari mund të quhet disident vetëm nëse kritikon qëndrimet e pushtetit dhe
ndikon në ndërgjegjësimin e masave për padrejtësitë e një regjimi të egër. Edhe pse vepra letrare
është instrumenti më efektiv për zgjerimin e ndikimit në masat e gjëra, disidenca duhet të
manifestohet edhe me aksione të tjera kundër pushtetit.
Sipas këtij përkufizimi, për ta quajtur dikë disident letrar u dashka që ai të jetë domosdo edhe
disident politik?!
Këso gjykimesh të padrejta vijnë në shprehje sa herë që dikush i quan disidentë letrarë krijuesit
jokonformistë, të cilët futen kastile në të njëjtin kallëp me krijuesit mediokër të Realizmit socialist,
që zbatuan me përpikëri direktivat e pushtetit monist.
Megjithatë, nuk e mohojnë të gjithë ekzistencën e disidencës letrare në Shqipëri dhe në Kosovë,
veçmas atë të krijuesve të veprave si: “Përbindëshi”, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Pallati i
ëndrrave”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” apo “Gjarpinjtë e gjakut” , që sfiduan, regjimet e
egra, gjë që është vërejtur edhe prej kritikës evropiane.
Për njohësit e diktaturës mbetet i pasqarueshëm guximi i autorëve, të cilët pikërisht në fazën e
disiplinimit të artit dhe zbatimit të detyrueshëm të rregullave bazë të Realizmit socialist, vunë në
lojë krerët e paaftë të shtetit, të ndërgjegjshëm se mund t’u rrezikohej edhe jeta. Por pavarësisht
guximit të shkrimtarëve që lakuriqësuan ideologjinë staliniste, vazhdon relativizmi i disidencës së
tyre me arsyetimin se ishin pjesë e realizmit socialist dhe masha të sistemit totalitar, që bie ndesh
më qëndrimin e Akademik Shaban Sinanit, i cili në studimin mbi dukuritë atipike të veprës së
Dritëro Agollit, mes tjerash thotë: Shkruar në kushtet e një shoqërie rreptësishtë të kontrolluar, për
t’u lexuar, si çdo letërsi tjetër, edhe në kushtet e shoqërisë së hapur, letërsia e realizmit socialist nuk
mund t’i shmanget pyetjes nëse brenda saj ka njerëz të vërtetë, që zhvillohen në mënyrë të pavarur
prej ideologjisë sunduese…