Paris Saint-Germain ka siguruar një vend në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve, pas fitores ndaj Arsenalit me rezultat 2:1 në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales. Duke pasur parasysh edhe fitoren 1:0 në ndeshjen e parë në Londër, PSG kalon me rezultat të përgjithshëm 3:1 dhe pret në finale Interin, që eliminoi Barcelonën.

Parisienët kaluan në epërsi në minutën e 27-të, kur Fabian Ruiz realizoi golin e parë të ndeshjes, shkruan Gazeta Express.

Në minutën e 69-të, PSG pati mundësinë ta thellonte epërsinë përmes një penalltie të fituar, por Vitinha nuk arriti ta konkretizonte, pasi gjuajtjen e tij e priti portieri David Raya, duke mbajtur gjallë shpresat e anglezëve.

Megjithatë, vetëm tre minuta më vonë, në të 72-tën, PSG e gjeti golin e dytë. Ishte Achraf Hakimi që shënoi gol të bukur për 2:0.

Reagimi i Arsenalit erdhi shpejt. Në minutën e 76-të, Bukayo Saka shënoi për 2:1, duke ngushtuar rezultatin dhe ringjallur emocionet në fundin e ndeshjes. Megjithatë, ishte tepër vonë për një përmbysje të madhe.

Me këtë fitore, PSG siguron kalimin në finalen e Mynihut, ku do të përballet me Interin, që mbrëmë kishte eliminuar Barcelonën në një tjetër përballje dramatike.