Gjatë festimeve që pasuan fitoren e Tottenhamit në Europa League, tre lojtarë mbetën pa medalje fituesi në skenën e ndarjes së trofeut.

Trajneri Ange Postecoglou ishte i pari që mori medaljen nga presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, pas fitores 1-0 kundër Manchester United. Në vijim, edhe lojtarët e dëmtuar James Maddison, Timo Werner dhe Lucas Bergvall, si dhe Will Lankshear – që ishte huazuar te West Brom – morën medalje në podium.

Por kapiteni Son Heung-min, Cristian Romero dhe Rodrigo Bentancur nuk patën të njëjtin fat dhe duhej të prisnin deri në dhomat e zhveshjes për të marrë medaljet e tyre.

UEFA sqaroi: “Për fat të keq, nuk kishim mjaft medalje në dispozicion në skenë për shkak të një mospërputhjeje të papritur në numrin e lojtarëve, pasi më shumë anëtarë të ekipit – përfshirë lojtarët e dëmtuar – morën pjesë në ceremoninë e trofeut sesa ishte parashikuar fillimisht.” Medaljet e mbetura iu dorëzuan menjëherë skuadrës fituese në dhomat e zhveshjes bashkë me një kërkimfalje zyrtare.

Sipas rregullave të UEFA-s, secila skuadër (fituese dhe humbëse) merr nga 50 medalje, të cilat ndahen sipas dëshirës së klubit mes lojtarëve dhe stafit. UEFA kishte përgatitur 30 medalje për t’i shpërndarë në fushë, por më shumë pjesëtarë të skuadrës u bashkuan në ceremoni.

Kapiteni Son priste në fund të radhës për të marrë trofeun dhe për ta çuar te bashkëlojtarët para se ta ngrinte. Fillimisht mori vetëm një përqafim nga Ceferin, por më pas u pa me medaljen fituese – të parën në karrierën e tij si futbollist profesionist në nivel klubi apo kombëtareje.