Shkup, 8.5.2025 – Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ministër për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Ivan Stoilkoviq, realizoi sot një takim pune me një delegacion nga Republika e Serbisë, i kryesuar nga ministri i Kulturës, z. Nikola Selakoviq. Në takim ishte e pranishme edhe ambasadorja e Republikës së Serbisë në vend, Sh.S. Nevena Jovanoviq.
Gjatë takimit u shqyrtuan disa çështje aktuale me interes të përbashkët, me potencial për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore dhe tradicionalisht të mira ndërmjet dy vendeve. Theks i veçantë iu dha avancimit të bashkëpunimit strategjik dhe zhvillimit të partneriteteve në fusha të ndryshme, veçanërisht në kontekstin e investimeve kapitale dhe realizimit të projekteve të përbashkëta me rëndësi strategjike.
Të dyja palët shkëmbyen mendime dhe qëndrime edhe për situatat aktuale politike dhe ekonomike në të dy shtetet dhe në rajon, ku u theksua gatishmëria për vazhdimin e dialogut të rregullt politik në nivelin më të lartë. Gjithashtu, u nënvizua rëndësia e aktiviteteve të koordinuara për nxitjen e zhvillimit demokratik dhe përshpejtimin e transformimit ekonomik përmes një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe të besueshëm ndërshtetëror.
Gjatë takimit u diskutuan edhe mundësitë për angazhim të përbashkët në nisma që kontribuojnë në përmirësimin e pozitës së pjesëtarëve të bashkësive joshumicë, me theks në arsim, kulturë, përfaqësim mediatik dhe përfshirje digjitale. Këto përpjekje janë në funksion të ndërtimit të një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe kohezive, të bazuar në barazi, respekt dhe besim të ndërsjellë.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt avancimit të bashkëpunimit rajonal dhe një konfirmim i vullnetit të përbashkët për thellimin e marrëdhënieve bilaterale përmes nismave konkrete dhe konstruktive.