Vazhdon aksioni ekologjik “Fundjava e pastrimit”, e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit jetësor.
Si pjesë e fushatës tre-ditore, e cila filloi dje, mbi 20,000 vullnetarë do të pastrojnë në më shumë se 500 lokacione në të gjitha komunat, duke përfshirë mbi 600 organizata, institucione dhe kompani, shoqata ekologjike, qytetare, sportive, organizata pensionistësh, institucione publike, komunitete lokale dhe urbane, kopshte, shkolla, fakultete, vullnetarë dhe parqe kombëtare.
Bëhet fjalë për një ngjarje ekologjike masive unike, jo vetëm në vend, por edhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor, e organizuar nga “Меn end Maunten” në bashkëpunim me Birraria Shkup, Pakomak, Zero Mbetje, Banka Shparkase, EVN Maqedoni, Makstil, Buçim Borov Dol, Saubermaher dhe Kostal. Aksioni mbështetet edhe nga BNJVL, Kryqi i Kuq dhe Ministria e Mjedisit Jetësor.
Aksioni filloi dje me pastrimin e zonës përreth Akvaduktit të Shkupit në të cilin morën pjesë Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Mjedisit Jetësor Izet Mexhiti, Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, Kryetari i BNJVL-së dhe Kryetari i Komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski, anëtarë të ambasadave, kryetarë të komunave, vullnetarë.
“Duke mbrojtur natyrën, ne mbrojmë veten, dhe një fundjave pastrimi duhet të rritet në një pastrim 365-ditor!, tha presidentja Siljanovska Davkova nga Akvadukti i Shkupit.
Bazuar në memorandumin 10-vjeçar që Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe Pyjet Kombëtare lidhën me “Men end Maunten”, çdo vit pas përfundimit të eko-aksionit “Fundjava e Pastrimit” në nëntor, zhvillohet pjesa e dytë e aksionit që përfshin pyllëzimin e tokës shtetërore.