Javier Zanetti ka shprehur admirimin e tij për trajnerin e PSG-së, Luis Enrique, përpara përballjes finale në Ligën e Kampionëve kundër Interit, duke shtuar se merkatoja e verës për klubin mund të sjellë lojtarë me profil të lartë në “San Siro”.

Nënkryetari i zikaltërve reflektoi mbi rrugëtimin emocionues të Interit në Ligën e Kampionëve, që mori një kthesë elektrizuese nga çerekfinalet e më tej, me gola në minutat e fundit dhe paraqitje të qëndrueshme që ndihmuan skuadrën e Simone Inzaghit të arrijë finalen e dytë në tre sezone, pas një ndeshjeje dramatike kundër Barcelonës.

“Sinqerisht, mendova se do të ishte shumë e vështirë, sidomos me mënyrën si po zhvillohej loja,” tha Zanetti për ESPN në një intervistë.

“Inter dukej i lodhur. Por futbolli të jep këto emocione, dhe kjo skuadër beson gjithmonë deri në fund.

“Jemi një skuadër që të gjithë e respektojnë, sidomos për konsistencën që kemi treguar gjatë viteve – edhe pas finales së humbur ndaj Manchester City, ku Interi luajti shumë mirë. Finalet janë të tilla.

“Faza e grupeve shkoi mirë, humbëm vetëm një ndeshje në minutën e fundit kundër Bayer Leverkusen. Pastaj erdhën çerekfinalet ndaj Bayern, një skuadër me traditë të gjatë në Ligën e Kampionëve.

“Dhe më pas Barcelona, një skuadër me identitet të fortë, shumë lojtarë të rinj dhe aftësi për të krijuar diçka nga asgjëja – shumë e vështirë për t’u përballur. Por kur Interi sulmon, e bën mirë. Shënuam shtatë gola ndaj Barcelonës.”

Duke kaluar te finalja, Zanetti pranoi se ka një vlerësim të lartë për trajnerin e skuadrës kundërshtare.

“Kemi katër vite me Inzaghin,” shtoi nënkryetari.

“Inter është gjithmonë pretendente, dhe respektohet. Gjëja më e rëndësishme për ne ishte të arrinim në finale.

“Mendoj se PSG është një skuadër shumë e mirë – e admiroj shumë Luis Enrique, i ka dhënë një identitet të qartë ekipit dhe kjo është arsyeja pse janë aty ku janë sot.”

Sa i përket planeve të Interit për të rinovuar pjesërisht skuadrën me afrime të reja, Zanetti konfirmoi se klubi është i gatshëm të investojë në lojtarë me profil të lartë.

“Aktualisht, të gjithë jemi ende nën efektin e emocioneve pas asaj që ndodhi, por së shpejti do të vijë momenti për t’u ulur dhe për të filluar planifikimin për sezonin e ardhshëm,” tha Zanetti.
“Dhe me gjithë përvojën që kemi fituar nga këto ndeshje – dhe ato që Interi do të vazhdojë të luajë – do të ketë patjetër disa afrime në skuadër. Dhe ndoshta, do të mbërrijnë edhe disa lojtarë me emër.”