Mbi 6000 qytetarë të Maqedonisë së Veriut kanë shprehur interesin e tyre për të ndërtuar të ardhmen përmes vetëpunësimit, duke aplikuar në thirrjen e hapur nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës në bashkëpunim me Agjencinë për Punësim të Maqedonisë së Veriut.

Aplikantët përfshijnë të rinj, të reja, gra dhe burra të vendosur për të nisur biznesin e tyre dhe për të krijuar vende të reja pune. Ky numër i lartë aplikimesh është një dëshmi e fortë se qytetarët kanë besim në politikat publike që synojnë mbështetjen e ndërmarrësisë dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.

Përmes këtij programi, Qeveria jo vetëm që mbështet idetë novatore dhe iniciativat private, por kontribuon në fuqizimin e barazisë gjinore, promovimin e punësimit të të rinjve dhe zhvillimin rajonal.

Ministri Durmishi theksoi se interesi i madh për programin është tregues i fryteve të para të reformave të ndërmarra dhe i përkushtimit të institucioneve për të qenë pranë qytetarëve që ndërmarrin hapa të guximshëm drejt vetërealizimit dhe zhvillimit ekonomik.

“Qeveria është krah për krah me qytetarët e saj – me ata që kanë ide, kurajë dhe vizion për të sjellë ndryshim në jetën e tyre dhe në komunitet”, shkroi ministri Durmishi.

Maqedonia e Veriut po ecën përpara me mbështetjen ndaj inovacionit dhe iniciativës individuale, duke ndërtuar një ekonomi moderne dhe gjithëpërfshirëse.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume