Manifestimi “Ftesë për Lexim” shënoi edicionin e dytë, duke u bërë një ngjarje e rëndësishme në kalendarin kulturor të Shkupit, ku morën pjesë poetë dhe shkrimtarë të njohur nga Shkupi dhe më gjerë. Aktiviteti, që fokusohet në promovimin e leximit dhe vlerësimin e fjalës së shkruar, u bë një festë e dijes dhe kulturës, informon PressOnline.al
Kryetarja e Shoqatës për Përparimin dhe Zhvillimin e Kulturës “Porta Skupi” në Shkup, Arlinda Kalisi, foli për rëndësinë e këtij manifestimi:
“Kjo ngjarje është një mundësi e shkëlqyer për të mbështetur dhe promovuar kulturën dhe letërsinë në qytetin tonë. Ne, si shoqatë jemi të angazhuar për të krijuar mundësi që nxisin zhvillimin e kulturës dhe dijes, duke sjellë së bashku autorë, poetë dashamirës të librave. Ky manifestim është një mundësi për të bashkuar të gjithë ne që ndajmë dashurinë për letërsinë, poezinë dhe dijen. Le të kujtojmë se leximi është themeli i mendimit kritik, një urë mes brezave dhe një burim i pashtershëm frymëzimi. “ Ftesë për lexim” është një hap tjetër përpara në përpjekjet tona për të inkurajuar leximin dhe krijimin e një shoqërie që vlerëson rëndësinë e fjalës së shkruar”.
Ky aktivitet u organizua me qëllimin e inkurajimit të pasionit për letërsinë dhe poezinë, duke ofruar një platformë për shkrimtarët dhe poetët të ndajnë krijimtarinë e tyre me një audiencë të gjerë. Gjatë mbrëmjes, disa nga emrat më të njohur të letërsisë shqipe, si Merita Abazi, Adem Abdullau, Mimoza Mustafai – Jonuzi lexuan poezi të zgjedhura, duke sjellë në jetë vargje të mbushura me emocion dhe kuptim për audiencën.
Shkrimtarja dhe publicitja Mimoza Mustafi Jonuzi me këtë rast tha se është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua që sot ndodhem në mesin tuaj, në këtë festë të bukur të kulturës dhe letërsisë shqiptare.
“Të mblidhemi përreth fjalës, përreth shpirtit krijues, do të thotë të besojmë ende në dritën që ajo mbart — në fuqinë që ka fjala për të ngjallur ndjenjë, për të ndërgjegjësuar, për të shëruar. Letërsia nuk është thjesht strehë nga realiteti, por shpesh është edhe pasqyrë e tij. Ajo flet për ne, për kohën që jetojmë, për ankthin dhe shpresën që na përcjell. Dhe unë, si shumë kolegë të mi krijues, përpiqem që përmes poezisë të sjell një zë të brendshëm, një thirrje që nuk bërtet, por që troket butë në shpirtin e lexuesit”, u shpreh ajo.
Poezia e shkrimtares dhe publicites Mimoza Mustafi –Jonuzi nuk është vetëm art, por edhe thirrje e butë për reflektim. Ajo flet për dashurinë dhe humbjen, për kujtesën dhe harresën, për gruan dhe ndjeshmërinë e saj të shumëfishtë — gjithmonë me një ton të brendshëm, të ngrohtë e njëkohësisht të guximshëm.
Në mesin e të ftuarve ishin emra si Bajramali Selimi, poet i njohur për poezitë e tij të thella dhe emocionuese, si dhe Mejreme Kajolli Tusha, një poeteshë që njihet për ndjeshmërinë dhe thellësinë e mendimit në vargjet e saj. Gjithashtu, morën pjesë edhe poetë e shkrimtarë të tjerë si Ibadet Livareka, Alejna Islmai, Blerta Tmava Veselaj, Anda Islami, Agona Çupi etj., si dhe studentë dhe dashamirës të poezisë që i dhanë ngjarjes ngjyrën dhe energjinë e tyre.
Në kuadër të këtij manifestimit është mbajtur edhe një tryezë e rrumbullakët, ku autorë dhe studiues nga Kosova dhe Shqipëria diskutuan tema bashkëkohore që e prekin letërsinë në përgjithësi, dhe letërsinë shqipe në veçanti.
“Ftesë për Lexim” është vetëm një nga shumë aktivitete që Shoqata “Porta Skupi” ka planifikuar për këtë vit. Ata janë të angazhuar të vazhdojnë të mbështesin dhe promovojnë aktivitetet kulturore që nxisin zhvillimin e dijes dhe kulturës, duke u ofruar mundësi krijuese të gjithë atyre që janë të pasionuar pas fjalës së shkruar dhe artit të letërsisë. Manifestimi mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe e Turizmit e Republikës së Maqedonisë së Veriut.(PressOnline.al)