Qeveria e re gjermane pritet këtë verë të miratojë një paketë të madhe për lehtësime tatimore në vlerë prej 46 miliardë eurosh për kompanitë, në përpjekje për të nxjerrë ekonominë më të madhe të eurozonës nga stagnimi.

Ministri i Financave, Lars Klingbeil nga radhët e socialdemokratëve, do të paraqesë masat gjatë mbledhjes së qeverisë të mërkurën. Uljet e tatimeve, që përfshijnë zbritje për pajisje të reja dhe automjete elektrike, do të kushtojnë rreth 46 miliardë euro deri në vitin 2029, kur përfundon mandati i koalicionit, sipas vlerësimeve qeveritare të siguruara nga Financial Times.

“Në një periudhë të stagnimit ekonomik, është e rëndësishme të rritet ndjeshëm potenciali i ekonomisë gjermane,” thuhet në draft-ligjin. Masat synojnë të japin një sinjal të fortë për konkurrueshmërinë afatshkurtër dhe afatgjatë të Gjermanisë si vend për biznes.

Këto nisma vijnë paralelisht me një plan të madh të shpenzimeve publike të financuara përmes borxhit mbi 1 trilion euro për modernizimin e ushtrisë gjermane dhe infrastrukturës së vjetëruar – pjesë qendrore e përpjekjeve të kancelarit Friedrich Merz për të rigjallëruar ekonominë.

Lideri i demokratëve kristianë, i cili udhëhoqi fushatën mbi platformë pro-biznes, ka premtuar gjithashtu subvencionim të kostove të energjisë për industrinë prodhuese në vështirësi. Është krijuar edhe një ministri e posaçme për uljen e burokracisë dhe përshpejtimin e digjitalizimit të administratës.

Nga 1 korriku, kompanitë do të mund të zbritin 30 për qind të kostos së makinerive dhe pajisjeve të reja nga fatura e tyre tatimore çdo vit mes 2025 dhe 2027. Nga viti 2028, norma federale e tatimit mbi fitimin do të ulet nga 15 për qind në 10 për qind me nga një pikë përqindjeje çdo vit.

Po ashtu, kompanitë do të kenë të drejtë të amortizojnë 75 për qind të çmimit të blerjes së automjeteve elektrike në vitin e parë, duke ulur të ardhurat e tatueshme. Qeveria planifikon edhe stimuj të rinj tatimorë për investimet në kërkim dhe zhvillim.

Ekspertët e ekonomisë thonë se këto masa do të sjellin një shtytje të mirëpritur për sektorin prodhues në afat të shkurtër. Por theksojnë se ulja e barrës rregullatore është më sfiduese por edhe më e rëndësishme për rikuperimin ekonomik.

Këto politika shënojnë një ndryshim të madh për Gjermaninë, e cila deri vonë ishte simbol i disiplinës fiskale në BE.

Në tre vitet e fundit, ekonomia e Gjermanisë e orientuar nga eksporti ka pasur rritje minimale dhe përballet me konkurrencë të ashpër nga Kina dhe kosto të larta energjetike. Investimet e korporatave gjermane janë ende 9% më poshtë se para pandemisë, ndërsa SHBA-të dhe BE-ja i kanë kaluar ato nivele.

Gjermania gjithashtu ka mbetur prapa në shpenzimet për kërkime dhe zhvillim krahasuar me SHBA-në dhe Francën, sidomos në fushat si inteligjenca artificiale.

Ky është vetëm fillimi i një procesi më të thellë për të ripërtërirë ekonominë gjermane dhe për ta bërë më konkurruese në një treg global gjithnjë më sfidues.