Zyra Federale e Krimeve në Gjermani, ka deklaruar se krimi kibernetik në vend ka arritur një nivel rekord gjatë vitit të kaluar, i nxitur nga sulme të shumta hakerësh, kryesisht nga grupe pro-ruse dhe anti-izraelite.

“Krimi kibernetik është një kërcënim në rritje për sigurinë tonë,” ka deklaruar ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, duke shtuar se, “po bëhet gjithnjë e më agresiv, por edhe kundërstrategjitë tona po profesionalizohen më tej.”

Ndërkohë, sipas Reuters, qeveria gjermane ka njoftuar se do të forcojë masat kundërkriminale për të mbrojtur institucionet dhe qytetarët, përballë sulmeve të tilla.

Nga raporti i Zyrës për Krime, thuhet se gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 131,391 raste të krimeve kibernetike brenda Gjermanisë, ndërsa 201,877 raste të tjera janë kryer nga jashtë vendit ose nga burime të panjohura.

Sipas Zyrës, autorët e këtyre sulmeve, janë kryesisht grupe të motivuara politikisht – pro-ruse dhe anti-izraelite – dhe objektivat më të zakonshme kanë qenë institucionet publike dhe federale.

Lidhur më çështjen, shoqata gjermane e teknologjisë dixhitale, Bitkom, ka bërë të ditur se dëmet ekonomike të shkaktuara nga sulmet kibernetike vitin e kaluar arritën në 178.6 miliardë euro, rreth 30.4 miliardë euro më shumë se një vit më parë.