MASH: Ndërtojmë shkolla me zero tolerancë ndaj dhunës, përmes trajnimeve përforcojmë aftësitë e mësimdhënësve

Dhuna tek të rinjtë renditet ndër prioritetet më të larta të BE-së, duke inkurajuar strategji, programe dhe iniciativa të shumta për ta luftuar atë. Fatkeqësisht, kjo temë është gjithashtu ndër të rëndësishmet në vendin tonë. Raporti i prezantuar sot nuk është vetëm diagnozë e realitetit, por do të shërbejë edhe si mjet në përforcimin e politikave, hartimin e masave dhe përcaktimin e aktiviteteve të përshtatshme për t’u përballur me dhunën, theksoi Elena Ivanovska, sekretare Shtetërore në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, në fjalimin e saj në prezantimin e raportit mbi dhunën midis bashkëmoshatarëve tek nxënësit e moshës 11, 13 dhe 15 vjeç në Maqedoni.
Për të realizuar proces edukativo – arsimor cilësor, është e domosdoshme që nxënësit të jenë në mjedis të sigurt dhe të mbrojtur ku zhvillohet dhe trajtohet atmosferë bashkëpunimi dhe komunikimi konstruktiv, ku respektohet diversiteti, theksoi Ivanovska, duke shtuar se Ministria e Arsimit dhe Shkencës është e përkushtuar për të ndërtuar shkolla me tolerancë zero ndaj dhunës.
“Në këtë drejtim, shkollat organizojnë aktivitete mësimore dhe jashtëshkollore për nxënësit, që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit për komunikimin jo të dhunshëm, si dhe veprimin në rast të sjelljes së dhunshme. Lidhja kryesore është mësimdhënësi. Parandalimi fillon me të dhe, në fund të fundit, është mësimdhënësi ai që duhet të ballafaqohet me sjelljen e nxënësve. Prandaj, trajnimet për zhvillimin profesional të mësimdhëmësve në shkollat fillore dhe të mesme përmbajnë një fushë të tërë – Krijimin e mjedisit stimulues mësimor ku temat lidhen me përballjen me dhunën nga bashkëmoshatarët, zgjidhjen e konflikteve, zhvillimin e parimeve dhe vlerave etike, etj. Shërbimi profesional i shkollës dhe Shërbimi Pedagogjik në Ministri veprojnë si asistentë të mësimdhënësit , theksoi Ivanovska.
Nxënësit, prindërit dhe palët e tjera të interesuara mund të raportojnë rastet e dhunës në shkollë në adresën e posaçme të email-it [email protected]. Këtë vit, në këtë adresë janë pranuar 48 raportime. Nga këto, 28 janë zgjidhur dhe 20 janë në procedurë. Numri i rasteve është dukshëm më i ulët se vitin e kaluar shkollor, ku ishin mbi 120 raportime.
Përveç adresës speciale të e-mailit, dhuna nga bashkëmoshatarët mund të raportohet edhe drejtpërdrejt në Shërbimin Pedagogjik ose në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit.
Ivanovska tha se për të bërë ndryshime kulturore në botën e të rinjve, ata duhet të fillojnë në botën e të rriturve, sepse nuk mund të presim sjellje jo të dhunshme nga të rinjtë nëse normalizojmë forma të ndryshme të dhunës në marrëdhëniet tona familjare, profesionale dhe shoqërore.
Raporti Kombëtar mbi dhunën nga bashkëmoshatarët tek nxënësit e moshave 11, 13 dhe 15 vjeç është përgatitur në kuadër të studimit për sjelljet e lidhura me shëndetin e fëmijëve në moshë shkollore, studim gjatësor ndërkombëtar i cili kryhet çdo katër vjet, në bashkëpunim me Zyrën Rajonale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, ndërsa realizohet nga Qendra për Veprim Psikosocial dhe Krizë-Malinska, me miratimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Byrosë për Zhvillim e Arsimit dhe në bashkëpunim me Fondin e Popullsisë së Kombeve të Bashkuara – UNFPA.