Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetet sociale, duke akuzuar ish-sekretarin e përgjithshëm të LSI-së, Endrit Braimllari, për përgjegjësi të drejtpërdrejtë në çështjen e lobimit, që aktualisht po hetohet nga SPAK.

Meta shprehet se po mbahet në “izolim ekstrem” për shkak të firmave të hedhura nga Braimllari në emër të LSI-së gjatë periudhës 2018–2019, kohë kur ai ishte President i Republikës dhe jo kryetar i partisë.

“Vetëm një rilindas mund të harrojë firmat që ka hedhur vetë dhe arsyet për të cilat i ka hedhur. Një gënjeshtar ordiner, që përpiqet të fshihet pas harresës,” shkruan Meta.

Meta thekson se dokumentet e SPAK, e faktojnë Braimllarin si personin përgjegjës për firmosjen e kontratave të lobimit dhe ironizon faktin që ndërsa ai përballet me izolim, Braimllari “gradohet” në postin e nënkryetarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Postimi i Metës:

Endrit Braimllari është shembulli më i gjallë i mënyrës se si SPAK-u arrin t’i konvertojë njerëzit pa karakter në “rilindas” të denjë – gënjeshtarë. Vetëm një “rilindas” mund të harrojë firmat që ka hedhur vetë dhe arsyet për të cilat i ka hedhur. Një gënjeshtar ordiner, që përpiqet të fshihet pas harresës, por e vërteta nuk fshihet as me lojëra fjalësh, as me konvertim teserash partie. Firma për lobimet e LSI-së në periudhën 2018–2019 është e Endrit Braimllarit. Në atë kohë, unë nuk isha kryetar i LSI-së, por President i Republikës. Për firmat e tij unë qëndroj në izolim ekstrem, ndërsa Endriti “gradohet” nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Apo mos ndoshta është Altin Dumani që gënjen në shkresën zyrtare të firmosur prej tij?

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume