Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Ditët e Alfabetit”, të organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITShKSh), ku në qendër të diskutimeve ishte cilësia e teksteve shkollore dhe përgjegjësia institucionale për avancimin e arsimit në gjuhën shqipe, 118 vjet pas Kongresit të Manastirit.

“Dita e Alfabetit na kthen te Manastiri i vitit 1908, por njëkohësisht na përball me përgjegjësinë që kemi sot për cilësinë e arsimit në gjuhën shqipe. Një libër shkollor është ndër takimet e para të fëmijës me gjuhën e shkruar, shkencën dhe historinë, prandaj duhet të jetë i saktë, i qartë dhe i kuptueshëm. Hartimi, përkthimi dhe vlerësimi i teksteve kërkojnë angazhim serioz profesional, ku mësimdhënësit, pedagogët, gjuhëtarët dhe ekspertët duhet të kenë rol të drejtpërdrejtë”, theksoi Mexhiti.

Ai nënvizoi se përmirësimi i kushteve në shkolla dhe forcimi i bashkëpunimit me institucionet arsimore e shkencore mbeten përgjegjësi të drejtpërdrejta të udhëheqësve institucionalë. Sipas tij, rekomandimet profesionale duhet të gjejnë zbatim konkret në procesin mësimor, duke krijuar kushte për zhvillimin e mendimit kritik dhe përvetësimin e njohurive cilësore. “Brezi i Manastirit përmbushi detyrën e kohës së vet. Detyra jonë është t’u sigurojmë fëmijëve arsim cilësor në gjuhën shqipe dhe mundësi për të ecur përpara përmes dijes”, përfundoi Mexhiti.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume