Kryeministri Hristijan Mickoski në intervistën për Alsat, premtoi që do të tejkalohet problemi me Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, i cili për shkak të mungesës së harmonizimit të ligjeve është paralizuar, ndërsa punëtorët 6 muaj nuk marrin rroga. Problemi vazhdon të jetë mungesa e shumicës së Badinterit, e cila krahas ndryshimeve të Ligjit për Inspektoratit, ka bllokuar edhe ligje tjera. Megjithatë, kryeministri deklaroi që ka ndjesinë që së shpejti do të sigurohet.
“Ju mungojnë edhe diku 6 deputetë nga komunitetet. Jo nuk janë aq. Edhe sa? Më pak, shumë më pak. Me kë jeni më afër për marrëveshje me Bejxhan Iljaz ose Menduh Thaçi? Nuk do të përmendja emra, ndoshta me Ali Ahmetin. Keni bisedime me të? Po e votoi Ali Ahmeti Ligjin për Organizimin e Administratës, pse të mos e votojë këtë ligj? Edhe disa prej deputetëve të BDI-së e votuan, mendoj se atëherë ishte edhe koordinatori që e votoi”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Mickoski nuk dëshiroi të jep detaje lidhur me paralajmërimet se një pjesë e deputetëve shqiptarë nga pozita do t’i bashkëngjiten shumicës parlamentare.
“Nuk do ta flisja unë për të ashtuquajtur tregti e gjelbër e deputetëve, unë më shumë do të doja të përmbahem te sistemi i vlerave. Nëse ai sistem njihet, çdokush është i mirëseardhur në Qeveri”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Për kërkesën e opozitës shqiptare që bashkë me zgjedhjet lokale të vjeshtës, të mbahen edhe ato parlamentare, Mickoski tha që nuk sheh arsye për zgjedhje të dyfishta. Kryeministri, tha që qytetarët në tetor megjithatë do të tregojnë se në çfarë shteti duan të jetojnë, ndërsa pritjet e tij janë që nuk do ndodh diçka dramatike, ndërsa koalicioni VLEN do të ketë epërsi ndaj koalicionit BDI-Taravari.
“Pres që koalicioni VLEN të fitojë dhe të ketë një kryetar komune më shumë se koalicioni i sapoformuar mes, asaj pjese që mbeti na partia politike e zotëri Arben Taravarit dhe Frontit Evropian ashtu siç do të garojë në zgjedhjet lokale ose vetëm BDI”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër. /Alsat.mk