Me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor organizoi sot konferencën e saj të parë vjetore “Së bashku për një të ardhme të qëndrueshme”, ku u promovua zyrtarisht koncepti i ri komunikues #EArdhmeQëndrueshme.
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, theksoi se ky aktivitet nuk është simbolik, por punues, gjithëpërfshirës dhe strategjik, me synim vendosjen e mjedisit jetësor si përparësi kryesore në politikat kombëtare.
“E ardhmja e qëndrueshme nuk është vetëm një fushatë – ajo është filozofia jonë për menaxhimin e burimeve, për reformat sistemore dhe për përfshirjen e të gjithë qytetarëve në një mision të përbashkët,” theksoi ministri.
Gjatë konferencës u mbajtën dy diskutime paneli me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga akademia, institucionet, sektori civil dhe komuniteti i biznesit — njëra e fokusuar në mbrojtjen e burimeve natyrore, dhe tjetra në menaxhimin e qëndrueshëm të mbeturinave.
Në kuadër të konferencës, u prezantuan edhe gjashtë ndërhyrje kyçe në politikën kombëtare për mjedisin jetësor: Ujë i pastër për çdo qytetar, Natyrë pa deponi të egra, Prespa2035, Ohri – Liqeni që kërkon përgjegjësi, Legjislacion që vendos natyrën në radhë të parë dhe EkoVetëdije – Program për rritjen e vetëdijes publike dhe edukimit të gjelbër, me aktivitete në shkolla, media dhe komunitete në gjithë vendin.
Ministri drejtoi një ftesë të hapur për të gjithë palët e interesuara – qytetarë, komuna, kompani, shkolla – që të përfshihen në mënyrë aktive në realizimin e fushatës #EArdhmeQëndrueshme, me mesazhin e qartë:
Vetëm së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme!
Përfaqësuesja e UNICEF-it në Maqedoninë e Veriut, Lesli Miler, theksoi se nëpërmjet partneritetit me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës janë arritur rezultate të jashtëzakonshme.
“Së bashku kemi përgatitur programe dhe tekste të reja mësimore për arsimin fillor dhe të mesëm, duke integruar mësimin për klimën dhe mjedisin në të gjitha lëndët. Kemi nisur zbatimin e rekomandimeve për cilësinë e ajrit në shkolla, dhe vitin e kaluar Qeveria miratoi një protokoll për reagimin e shkollave gjatë valëve të të nxehtit,” tha Miler.
Në ngjarje, nxënës dhe mësues nga shkolla fillore dhe të mesme nga i gjithë vendi, pjesë e programit GLOBE dhe rrjetit për të mësuar përmes përvojës, prezantuan aftësitë e tyre në hulumtimin e cilësisë së ajrit, ujit, tokës dhe biosferës.