Sot (5 qershor 2025), në një mbledhje të veçantë, me votim të fshehtë, Bordi i Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), ia dha besimin Prof. Dr. Sadudin Ibraimi që në tri vitet e ardhshme ta drejtojë Universitetin. Rektori i ri, vjen në këtë detyrë pas përfundimit të mandatit të rektorit të tretë të UEJL, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, i cili këtë detyrë e ushtroi për dy mandate.

“Rektori i ri u zgjodh me një shumicë të numrit të përgjithshëm të votave të anëtarëve të Bordit, ndërsa procedura zgjedhore u realizua në përputhje me Statutin e UEJL. Duhet theksuar se në konkursin për rektor të ri të UEJL kanë qenë përfshirë edhe disa kërkesa thelbësore për këtë pozitë: thirrje akademike – profesor ordinar të pranuar nga shteti, përvojë menaxheriale (sipas mundësisë të jetë fituar në universitet), entuziazëm për zhvillimin e misionit të dallueshëm të UEJL-së dhe duke u dhënë përparësi kandidatëve që i njohin gjuhët që përdoren në nivel të Universitetit si: gjuhën shqipe, maqedonase dhe angleze”, thonë nga Universiteti.