Sonny Olumati ka lindur në Romë dhe ka jetuar në Itali gjithë jetën e tij, por vendi që ai e quan shtëpi nuk e njeh atë si të vetin.

Për Italinë, Sonny është nigerian, si pasaporta e tij, dhe 39-vjeçari është i mirëpritur vetëm për sa kohë që ka lejen e tij të fundit të qëndrimit.

“Kam lindur këtu. Do të jetoj këtu. Do të vdes këtu”, thotë balerini dhe aktivisti në atë që ai e quan “makarona” italisht-anglisht nën palmat e një parku të rrëmujshëm romak.

“Por të mos kesh shtetësi është si… të të refuzojnë nga vendi yt. Dhe nuk mendoj se kjo është një ndjenjë që duhet ta kemi”.

Kjo është arsyeja pse Sonny dhe të tjerë kanë bërë fushatë për një votë “Po” në një referendum kombëtar të dielën dhe të hënën që propozon përgjysmimin e kohës së nevojshme për të aplikuar për shtetësi italiane.

Çdo fëmijë nën 18 vjeç do të natyralizohej automatikisht së bashku me prindërit e tyre.

Shkurtimi i pritjes nga 10 vjet në pesë do ta sillte këtë vend në përputhje me shumicën e vendeve të tjera në Evropë dhe, argumentojnë mbështetësit, do të përmirësonte integrimin.

Referendumi u iniciua nga një iniciativë qytetare dhe mbështetet nga grupet e shoqërisë civile. Por që një referendum i tillë të jetë i vlefshëm, 50% e të gjithë votuesve në Itali duhet të marrin pjesë.

Giorgia Meloni, kryeministrja e djathtë ekstreme e vendit, ka njoftuar se do ta bojkotojë votimin, duke e shpallur ligjin e shtetësisë tashmë “të shkëlqyer” dhe “shumë të hapur”.

Partitë e tjera aleate me të po u bëjnë thirrje italianëve të shkojnë në plazh në vend të qendrave të votimit.

Sonny nuk do të marrë pjesë as ai. Pa shtetësi, ai nuk ka të drejtë të votojë, ka shkruar BBC, transmeton Gazeta Express.