SHBA ndryshon politikën në Siri, ul praninë ushtarake: Nga 8 baza, mbetet vetëm një
I dërguari special i SHBA-së për Sirinë, Thomas Barrack, ka njoftuar se vendi do të zvogëlojë ndjeshëm praninë ushtarake në Siri, duke kaluar nga tetë baza që janë aktualisht në vetëm një.
Në një intervistë dhënë për median turke NTV, Barrack ka thënë “asnjë nga politikat e SHBA-së në Siri gjatë një shekulli nuk ka funksionuar”, duke lënë të kuptohet se duhet ndryshim.
Aktualisht, në Siri ndodhen rreth 2,000 trupa amerikane, kryesisht në verilindje, ku bashkëpunojnë me forcat lokale për të parandaluar rikthimin e grupit terrorist ISIS, i cili në vitin 2014 kishte marrë nën kontroll zona të gjera në Siri dhe Irak, përpara se të zmbrapsej nga një koalicion ndërkombëtar.
Ndërsa, kujtojmë se që prej rrëzimit të presidentit sirian Bashar al-Assad në dhjetor, SHBA dhe vende të tjera kanë nisur të rivendosin marrëdhëniet me Damaskun, tani nën udhëheqjen e Ahmed al-Sharaa.
Është bërë e ditur poashtu se javën e kaluar, Barrack – që shërben gjithashtu si ambasador i SHBA-së në Turqi – ka ngritur për herë të parë që nga viti 2012 flamurin amerikan mbi rezidencën e ambasadorit amerikan në Damask, në një akt simbolik të normalizimit diplomatik pas më shumë se një dekade ndërprerjeje.